Haxhinasto firmos në Athinë marrëveshjen për gazsjellësin TAP

Shqipëria, Greqia dhe Italia firmosën sot në Athinë marrëveshjen ndërqeveritare për ndërtimin e gazsjellësit “Trans Adriatic Pipeline” (TAP). Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Greqisë Dimitris Avramopoulos dhe ministri për Zhvillim Ekonomik i Italisë Corrado Passera.
Ministri Haxhinasto theksoi se me këtë marrëveshje, Shqipëria ka mundësi furnizmi me gaz të lirë në një projekt me vlerë “mbi 2 miliardë dollarë amerikanë (USD) investime vetëm në territorin e saj” si dhe shtoi “se gjatë ndërtimit dhe funksionimit të tij mbi 20 mijë qytetarë shqiptarë do të punësohen”.
Haxhinasto e vlerësoi TAP-n si një projekt madhor për secilin nga vendet, rajonin dhe Europën. “Me këtë projekt Shqipëria bëhet një kontributor direkt për sigurinë energjetike në Europë”,- tha ministri Haxhinasto gjatë firmosjes në Athinë. Ai e konsideroi TAP-in si një urë që i bashkon vendet rreth një qëllimi të përbashkët për bashkëpunimin, integrimin, sigurinë dhe prosperitetin.
Gazsjellësi TAP ka rëndësi strategjike për Shqipërinë për përdorim të brendshëm duke mundësuar rritjen dhe diversifikimin e burimeve energjetike, si dhe e shndërron vendin në epiqendër të shpërndarjes së gazit në rajon dhe më gjerë.
Më herët në shtator të 2012, qeveritë e tre vendeve konfirmuan mbështetjen politike për projektin TAP duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi mes tyre.
Aksionerët e TAP-it janë: kompania zvicerane AXPO, norvegjezja Statoil dhe gjermania E.ON Ruhrgas. Gazsjellësi TAP do të sjellë gaz natyror nga fushat gazmbajtëse të Shah Deniz II të Azerbajxhanit në drejtim të Europës.
Berisha: Shqiptarët do përfitojnë çmime të ulëta për energjinë
Në nisje të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri u shpreh se nga vënia në jetë e këtij projekti, qytetarët shqiptarë do të përfitojnë çmime shumë më të ulëta në furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim. Kryeministri u shpreh se potenciali energjetik i vendit shumëfishohet dhe rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut. Lidhur me marrëveshjen, të parën e këtij lloji mes tre vendeve të rajonit, Kryeministri Berisha u shpreh: “Sot është një ditë e veçantë dhe kryefjala e mbledhjes është marrëveshja që firmoset sot në Athinë midis qeverisë shqiptare, asaj italiane dhe qeverisë greke për projektin më të rëndësishëm rajonal, Gazsjellësin TransAdriatik që do të sjellë gazin, nga fusha e gazit në detin Kaspik, Azerbajxhan, në Itali dhe në gjithë Ballkanin e veriut dhe më tutje. Një marrëveshje kjo e një rëndësie të jashtëzakonshme, një marrëveshje e parë e këtij lloji mes tre vendeve te rajonit, marrëveshje, nga e cila pas konkretizimit të projektit, Shqipëria përfiton dhe shumë qytetarë shqiptarë në procesin e gazifikimit të vendit do të kenë furnizimin me energji për ngrohje dhe për gatim me çmime shumë më të ulëta, se sa çmimet e tanishme, pra do të shpenzojnë më pak për ngrohje dhe gatim. Potenciali energjitik i vendit shumëfishohet, rëndësia nevralgjike e tij e bën Shqipërinë të jetë një epiqendër e shpërndarjes së gazit në drejtim të Ballkanit të Veriut. Depot natyrore të gazit në vend janë një avantazh shumë i madh për Gazsjellësin, por një avantazh shumë i madh edhe për Shqipërinë. Marrëveshja përbën dokumentin më kryesor që duhej, me ndikim të fuqishëm në vendimmarrjen e konsorciumit të fushës Shah Deniz.
Meta: TAP do rrisë investimet në Shqipëri
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta përshëndet nënshkrimin e marrëveshjes për gazsjellësin TAP mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë. Sipas tij, kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, ndaj politika duhet të vijojë bashkëpunimin për projektet strategjike.
Gjatë konferencës për shtyp, Meta deklaroi se firmosja e marrëveshjes së TAP do sjellë investime të reja në Shqipëri
“Marrëveshja e TAP është revolucion energjetik për Shqipërinë i cili do të krijojë mijëra vende pune. Klasa politike të reflektojë për të zhvilluar bashkëpunimin mes tyre në të mirë të qytetarëve”, u shpreh Meta.
Për këtë arsye, kreu i LSI-së i bëri apel klasës politike të miratojë 3 ligjet e integrimit përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.
Komisioneri Europian për Energjinë mirëpret firmosjen e marrëveshjes
Komisioneri Europian përgjegjës për energjinë, Günther Oettinger mirëpret nënshkrimin e marrëveshjes ndërqeveritare trilaterale midis Italisë dhe Greqisë dhe Shqipërisë për gazsjellësin Transadriatik. Komisioneri Oettinger konsideron se TAP është një gazsjellës i rëndësishëm për lidhjen e tregjeve të gazit të Greqisë, Italisë, për furnizimin e Shqipërisë me gaz dhe potencialisht edhe për anëtarë të tjerë të komunitetit të energjisë. “TAP mund të jetë midis komponentëve të parë të gazësjellësve të koridorit të Jugut që synojnë të lidhin Bashkimin Europian dhe rajonin e Kaspikut” është shprehur Günther Oettinger në një komunikatë për shtyp pas nënshkrimit të marrëveshjes. Komisioni Europian vlerëson se marrëveshja e firmosur midis Italisë dhe Greqisë dhe Shqipërisë është një një hap esencial për përgatitjen e gazsjellësit TAP, duke ofruar kuadrin ligjor të nevojshëm për ndërtimin e këtij gazsjellësit. Komisionerit Oettinger ka nënvizuar, se kjo marrëveshje ofron një sërë angazhimesh të ndërrmarra në këtë kuadër nga të treja vendet nënshkruese dhe garanton që Italia, Greqia dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë për ndërtimin e gazsjellësit TAP.