E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëndrimi, Xhafaj: Paketa e PS-së, e negociueshme, gati për sugjerime

PS lë të hapur mundësinë e negociimit me PD-në për 10 pikat e propozuara nga kryetari i opozitës, Edi Rama. Xhafaj ka deklaruar dje se propozimet do të depozitohen zyrtarisht në Kuvend

TIRANË Për Partinë Socialiste, 10 pikat e paktit të propozuar nga kryetari i opozitës, Edi Rama, janë të negociueshme. Zyrtarë të lartë të kësaj force politike kanë lënë të hapur mundësinë e negociimit me PD-në me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar dje se propozimet e opozitës do të depozitohen zyrtarisht ditën e enjte para fillimit të seancës parlamentare. Xhafaj u shpreh në një deklarim për mediat se PS-ja është e hapur që të ulet me mazhorancën për të negociuar këto pika me qëllim arritjen e një dokumenti konsensual. “Nuk është çështje pikash dhe numrash. Mundet që maxhoranca të ketë një qasje tjetër për disa nga këto elementë, ose mund të ketë propozime të reja. Kryetari i PS-së, drejtuesi i grupit parlamentar socialist, vetë grupi ka shprehur qartazi që ky është një projekt tërësisht i negociueshëm dhe është i hapur që secila nga palët të ketë mundësinë të bëjë sugjerimet e veta përmirësuese. Ne nuk jemi duke bërë një pakt me Sali Berishën, nuk jemi duke bërë një pakt me qeverinë, por një pakt me Kushtetutën, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit me qytetarët e këtij vendi”, - tha dje Xhafaj. Për këtë arsye, ai i

ka bërë thirrje mazhorancës, që të heqë dorë nga politika e konfliktualitetit dhe të marrë në konsideratë 10 propozimet, që nga ana e tij nuk cilësohen si kushte. Xhafaj përjashton gjithashtu mundësinë e një negociimi që tani për Presidentin e ardhshëm. Ai sqaroi se kjo çështje nuk është pjesë e paketës së kërkuar. “Ka një keqkuptim në atë propozim të bërë nga ana e opozitës. Nuk ka në mënyrë eksplicite në atë projekt, një propozim të adresuar për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo është e vërteta. Nëse maxhorancës i djeg pikërisht kjo gjë dhe jep përgjigje për një gjë që nuk ia kërkojnë, kjo është një çështje tjetër, jo një çështje që u përket propozuesve”,- tha ai. Në paketën prej 10 pikash të kërkuar përmes një konference për shtyp nga kryetari i opozitës, Edi Rama, përfshihet kërkesa për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, domosdoshmëria për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it, zgjedhja me konsensus e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe një sërë çështjesh të tjera, që i adresohen kabllogrameve të Wikiliks dhe punës së Prokurorisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›