E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet “testamenti” i Osama bin Laden

Sipas të përditshmes së Kuvajtit, “Al Anbaa”, Osama bin Laden ka lënë një testament, madje atje ka kërkuar që fëmijët e tij të mos jenë pjesë e organizatës terroriste “Al Kaeda”. E përditshmja flet për ekzistencën e një dokumenti me përmbajtje “private dhe konfidenciale” me datë 14 dhjetor 2001, rreth tre muaj pas sulmit ndaj Kullave Binjake të 11 shtatorit, e shkruar kur forcat amerikane kishin filluar ta ndiqnin në Afganistan. Në dokumentin me katër faqe, të shkruar në kompjuter dhe të firmosur “Vëllai juaj Abu Abdullah Osama Muhammad Bin Laden”, lideri i Al Kaedës parashikonte se do të vritej nga një “tradhti” dhe i urdhëronte grave të veta të mos martoheshin, të mos rreshtoheshin në radhët e grupit të tij terrorist dhe të mos shkonin në “front”. E përditshmja “Al Anbaa” nuk saktëson se si e ka gjetur dokumentin. Në “testamentin” e tij, Bin Laden i kërkon falje fëmijëve që nuk kaloi shumë kohë me ta për shkak të devotshmërisë së tij tek xhihadi. Në fund Osama nuk harron të përballet me aspektin politik dhe, duke marrë përsipër tragjedinë e Kullave Binjake, pohon se atentatet e 11 shtatorit ishin “sulmi i tretë” ndaj djallit të madh amerikan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›