OSBE bashkon Topallin, Ramën e Metën
Tryeza e OSBE për përfaqësimin e grave në politikë shoqërohet me batuta. Rama shtrëngon duart me Topallin. Topalli: Gratë krijuese, burrat shkatërrues! Rama: Burrat bashkautorë!
I pari që mbërriti në këtë takim ishte organizatori i kësaj tryeze, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, e më pas kreu i LSI-së, Ilir Meta e kryetari socialist, Edi Rama. Më e vonuara e këtij takimi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vonesa e së cilës çoi në shkëmbim batutash mes Ramës dhe ambasadorit Volfarth. Topalli, pasi ka mbërritur dhe ka kërkuar ndjesë për vonesën ambasadorit Volfarth, i dha dorën Edi Ramës, i cili nuk e kurseu batutën e radhës. Kush po e vonon integrimin, unë apo ti?!, iu drejtua Rama kryetares së Parlamentit. Duke u fokusuar te tematika e aktivitetit, krerët e partive politike më të mëdha në vend u shprehën të gatshëm që në zgjedhjet e ardhshme elektorale të zbatojnë Kodin Elektoral, ku përfaqësimi i grave duhet të jetë deri në 30%. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ka mbështetur këtë iniciativë duke theksuar se gratë janë më krijuese. Një shkrimtar i famshëm kinez, i cili shkruan për gruan në veprën e tij, në një lloj gati manifesti të feminilitetit, thotë se gruaja është krijuese. Burrat zakonisht janë më shkatërrues. Angazhimi juaj në jetën politike dhe publike ka rëndësi shumë të madhe. Unë jam e bindur se ju mendoni për fëmijën, për të ardhmen, për familjen. Duke menduar për këtë, ju keni menduar për shoqërinë shqiptare, për shtetin shqiptar, tha Topalli.
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në tryezë, tha se puna me gratë është më konstruktive dhe se përfaqësimi i ulët i tyre në politikë vjen edhe si mungesë e kandidimit të tyre nga kryetarët e qarqeve. Ka një barrierë jashtëzakonisht të madhe që duhet shembur me çdo kusht, për të përfshirë gratë që jetojnë veçanërisht në Shqipërinë e periferisë, në jetën shoqërore në radhë të parë, pastaj edhe në jetën politike, si pasojë. Jam absolutisht dakord me atë që tha Jozefina, se gruaja është krijuese, por burrin mos ta quajmë shkatërrues, por ta quajmë bashkautor të paktën. Që ka edhe burra shkatërrues, kjo është jashtë çdo dyshimi, dhe pikërisht për këtë duhet të ketë shumë më tepër gra krijuese edhe në politikë, tha Rama.
Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, e përkrahu këtë nismë duke u shprehur se një ditë Kuvendi i Shqipërisë do të jetë i balancuar nga gratë. Do të jetë e afërt dita kur edhe Kuvendi ynë të jetë i balancuar dhe ku gratë dhe vajzat e Shqipërisë të luajnë me forcë e mençuri rolin që u takon për të ardhmen e atdheut të përbashkët, u shpreh Meta. Gjatë këtij aktiviteti u prezantuan ndryshimet që ekspertët kanë kërkuar në ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ku lista e asnjë partie të mos certifikohet nëse nuk bëhen publikë të gjithë emrat dhe nuk zbatohet Kodi Zgjedhor, ku pjesëmarrja e grave të jetë në 30%.
Batutat para nisjes së tryezës
I pari që mbërrin në sallën ku do të mbahej tryeza e përbashkët OSBE-Kuvend ishte ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth.
Rama, Volfarthit: Kjo tryeza e grave, puna më e mirë që ke bërë.
Volfarth, i nervozuar për vonesën e Jozefina topallit me 20 minuta
Rama, Volfarthit: Kur nuk mërzitesh ti që je gjerman, të mërzitemi ne!?
Ndërsa salla e mbushur plot me femra priste Jozefina Topallin, Volfarth tha se duhej pritur pasi është femër dhe duhet respektuar.
Edi Rama: Pse këto në sallë, çfarë janë, burra?!
Pasi mbërriti Jozefina Topalli, ajo i dha dorën Ramës, i cili i tha asaj: Kush po e vonon integrimin, unë apo ti?!.
Kuotat e grave të PS për delegatë kongresi
Kreu socialist, duke sjellë në vëmendje pengesat që dalin për përfaqësimin e grave në politikë, solli raste nga partia që ai drejton. Nuk është aspak për të qeshur, edhe pse mund të vijë për të qeshur kur u thua kryetarëve të partisë në territoret rurale që detyrimi është që të deleguarit për kongresin e partisë nga territori juaj është të jenë 70% burra dhe 30% gra, e thonë nuk kemi gra. Se me kë i bëjnë fëmijët këta, kjo mbetet një pikëpyetje e madhe gjatë gjithë bisedës, dhe në fund fare është një pyetje që kujtohen, u shpreh Rama gjatë takimit të djeshëm.