Rama: Rrëfimi për Nanon, ministrat dhe ndarja me Metën

Rama shtrengon duart me djalin, Gregorin
Pjesë nga libri Kurban i kryetarit të PS
Metës i shpjegova idenë e boshtit PS-LSI, më tha: Mirë flori dhe iku me Berishën
Përpara se sa tua komunikoja kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit po-në time për kandidaturën, shkova te varri i babait. I detyrohem tim ati vend në këtë rrëfim, sepse kur ishte gjallë, në kohën e regjimit të vjetër, pati shumë arsye të merakosej, shpeshherë thellë, për shkak të bindjeve të mia gjithnjë e më të hapura kundër atij regjimi, e më pas, në vitet e pushtetit të ri, për shkak të pozicionimit tim publik kundër sundimit antidemokratik të Saliut, që në fillimin e vitit të egër 97 solli nëpër një natë të acartë me shi e llucë në hyrjen e shtëpisë sime të vjetër te parafabrikatet e periferisë ku jetoja, matanë Parkut të Autobusëve, njerëzit e pritës gjakosëse ku desh lashë kokën.
Për Fatos Nanon
Rikthimi triumfal në kongresin ku u konfirmua kryetar i PS-së me një ringritje spektakolare nga thuajse hiçi kundër gjithë parashikimeve, duke mundur Pandeli Majkon me një grusht votash të siguruara nga Ilir Meta, ia kishte përndezur më keq atë dëshirë; kompromisi me këtë të fundit sishte tjetër veçse një manovër dinake për të ngrënë një nga një kokat e kundërshtarëve të futura në rreth, duke e ndjekur planin e hakmarrjes si rimishërimi i Kontit të Montekristos, të cilin e sillte nganjëherë në biseda duke qeshur, po jo edhe aq me të qeshur, po e përjetonte realisht, falë edhe natyrës së tij prej aventurieri gjysmëromantik e gjysmëmarifetçi, i dashuruar me veten si pakkush, sa i zgjuar, aq i palexuar, sa i vetësigurt në shfaqje, aq i luhatur në brendi, sa veshëhapur për gjithçka gjithnjë e më i zellshëm për të mos dëgjuar me gjithë mend asgjë serioze, sa i dhënë pas pushtetit të tij mbi të tjerët, aq i papërgjegjshëm në shpërdorimin e pushtetit të marrë nga të tjerët. U mërzit shumë kur në një nga bisedat e fundit para dështimit katastrofik të vitit 2005 i thashë në një tavolinë miqsh e kolegësh: Je si një fëmijë që, kur pushtetin e sheh si një lodër në dorën e të tjerëve, çmend dynjanë me kujën tënde, derisa e merr lodrën; po me ta marrë, ulesh përtokë dhe fillon e zbërthen çika-çika, derisa stë mbetet më gjë në dorë, por ajo ishte, për fat të keq, marrëdhënia e Fatos Nanos me pushtetin.
Gjithsesi, e vërteta është se krisjen, që pastaj u bë thyerje përfundimtare e miqësisë së vdekur në ngricë, e shkaktova unë, jo Fatosi. Në harkun e pak më shumë se një viti pasi isha zgjedhur kryetar bashkie, shumë gjëra të papëlqyeshme kishin ndodhur në mjedisin e Partisë Socialiste. Në këndvështrimin tim, ajo ishte koha që fatalisht përcaktoi edhe rikthimin e pabesueshëm të Saliut në pushtet katër vjet më pas, për shkak të rënies së PS-së në një batak të shpifur, era e të cilit sot e gjithë ditën ska ikur plotësisht nga mjedisi i partisë më të madhe të shqiptarëve. Nëse koha do të mund të kthehej mbrapsht, sdo ta kisha bërë më atë batutën e bujshme të krahasimit të Fatosit me Robert Çamçakëzin, dembelin me shfaqje të huaja të portit të Durrësit në një film kult të socrealizmit për heroin e klasës punëtore, Adem Reka. E vërteta është se, për dreq, ai parazit simpatik që rrumbullohej paq, fishkëllente këngë të huaja, shpotiste kalimtaret dhe tërhiqte mbi vete sa energjitë negative të gjithë kantierit e sa interesimin e spektatorëve, ngjante për kiamet me Fatosin e kohës së katharsisit të bubullimshëm nëpër pijetoret e katundeve të Shqipërisë, ku kryetari i Partisë Socialiste i vuri kazmën jo vetëm qeverise socialiste të Ilir Metës, as edhe vetë partisë që udhëhiqte, po më thellë akoma, themeleve morale dhe etike të debatit politik e shoqëror në këtë vend. Pikërisht në atë proces antipolitik u bë modë çka gjer më aty kishte qenë vetëm veshja e përbuzshme e retorikës politike të Saliut.
Për ministrat e Nanos
Skam dëshirë, megjithatë, të mendosh se gjatë periudhës së dytë të qeverisjes socialiste, madje edhe në dy vjetët e fundit të saj, që ishin më të këqijtë, sshoh dallime me vitet e errëta që kaloi pushteti vendor në përgjithësi e Bashkia e Tiranës në veçanti pas errësirës që solli rikthimi i Saliut, në asnjë mënyrë jo, dallimet qenë mjaft të ndjeshme. Ministrat e Fatosit, ashtu si ministrat në çdo qeveri socialiste, kishin përgjithësisht ndaj punës sensin e institucionit, të ligjit e të edukatës publike dhe gjithashtu, një lloj autonomie që në qeveritë e Nanos, po veçanërisht në të dytën, buronte edhe prej faktit që ai vetë sua kishte gjëkundi ngenë punëve të shtetit, përtonte si dreqi të merrej seriozisht me to, as ishte tipi që donte të kontrollonte më shumë sesa autoritetin e vet mbi ta, jo për punë, po për shijen e pushtetit, për linin, për tekat, gërdufjet e zdërhalljet që i jepnin vetëndimjen e të qenit lideri siperan dhe, sigurisht, për ato interesa që e lidhnin drejtpërdrejt me burimet materiale të një të jetuari ku rafsha mos u vrafsha prej aventurieri endacak, brenda një hallakatjeje korruptive ku gjithkush bënte çtë donte e një dorë kanakarësh parellinj të kryeministrit kontrollonin, me post shtetëror a me celular nga pikëlidhjet miqësore me të, disa pika kyçe të funksionimit të shtetit, ku nxirrnin përfitime për vete e për atë vetë në formë rente ose buxhetesh për vakanca e lojëra të shtrenjta fati. Me disa ministra e gjenim shpesh gjuhën për punesa që per bashkinë kishin rëndësi të madhe, ndërsa për ta ishin shprehje e dëshirës për të ndihmuar shoqërisht përtej frymës penguese që kishte mbjellë kryeministri e pavarësisht shkulmeve të destruktivitetit të tij në momente të caktuara. Kështu, ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, sna la asnjëherë në baltë kur ekskavatori i stërlodhur i fushës se mbeturinave të Sharrës gërhiste i bllokuar dhe një ekskavator i fuqishëm i ushtrisë ishte i vetmi shpëtim prej kolapsit kërcënues të punës së përnatshme; Agron Duka e paguante vetë me lekët e kompanisë së tij private një ekskavator krahëgjatë të Ministrisë së Bujqësisë, nga ata të pastrimit të kanaleve kulluese, kur Lana ende e pasistemuar, siç u bë më vonë, fryhej prej mbeturinave që sillnin shirat e fortë e dilte nga shtrati, sidomos poshtë tek ura e Shkollës Teknologjike; Fatmir Xhafaj, ministri i Drejtësisë, uli disa herë stafin e tij teknik për të hapur kanalin e bllokuar të komunikimit institucional me Kryeministrinë, ku ngecnin kërkesat e propozimet tona për ndërhyrjet e domosdoshme ligjore në kushtet e një legjislacioni regresiv e pengues; Blend Klosi, ministri i Kulturës, përherë gjente rrugë për të na ndihmuar me mundësitë shumë modeste të asaj ministrie, e pas ikjes sime që aty ishte i pari që u përpoq ta rivinte në lëvizje me ide e projekte interesante atë dikaster. Te Bashkim Fino, pajtuesi i gjaqeve, dera për mua që gjithnjë e hapur edhe pse shumë shpesh smund të na e hapte derën për kërkesat tona; e njëjta gjë edhe me Angjelin a Malajn në Ministrinë e Financave, ku patëm gjithnjë, në ditë të vështira, ndihmën e papërtuar të zëvendësministres Adriana Berberi.
Ndarja me Metën
Një stuhi e re politike, e gjatë dhe sfilitëse, ra mbi Bashkinë e Tiranës kur Ilir Meta bëri piruetën e radhës duke shpallur largimin nga koalicioni me Partinë Socialiste për të luftuar, siç tha ai, kundër pazareve të PS-së me PD-në, vetëm 48 orë pasi i kisha folur hapur për idenë time të reformës zgjedhore. Qemë ndarë miqësisht në zyrën time me fjalën që do të rishihemi shumë shpejt për të vendosur mbi piketat e reformës. E kam përsëritur më shumë se njëherë deri këtu, ky sështë vendi për të shtjelluar rrjedhën e ngatërruar të disa ng