E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-ja shfaqet në krah të Berishës, por kërkon plotësim të standardeve

Kryeministri shpërndau dje certifikatën e parë elektronike. Bosch e Petit: Qytetarët të pajisen me kartat e identiteti para 2009-

Eljona Ballhysa
Kryeministri Sali Berisha është shfaqur dje në krah të ndërkombëtarëve të akredituar në Tiranë. Pas një periudhe “ftohjeje” kreu i qeverisë shqiptare ka nisur të shfaqë shenjat e para të afrimitetit. Kështu kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, si dhe kreu i delegacionit të KE-së, Hubert Petit, kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e printimit të certifikatave të para dixhitale të prodhuara në Njësinë Bashkiake numër 10. Ceremonia e printimit të certifikatave dixhitale ishte parashikuar të zhvillohej disa ditë më parë, por u shty për shkak të vizitës së kryeministrit Berisha në Kinë. Dy përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare, pjesëmarrës në këtë ceremoni, kanë kërkuar nga kreu i qeverisë shqiptare të përmbushë standardet e kërkuara, veçanërisht për pajisjen e qytetarëve me karta identiteti para zgjedhjeve të vitit 2009.
Kërkesat
Ndërsa vlerësuan procesin e prodhimit të certifikatave dixhitale, ndërkombëtarët kërkuan që qeveria të marrë masat për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare. Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Hubert Petit, u shpreh dje se “Shqipëria duhet të sigurohet për funksionimin e një regjistri të besueshëm të gjendjes civile në kohë, përpara afateve të përgatitjes së listave të zgjedhësve dhe të pajisë me dokumente identiteti, që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të gjithë zgjedhësit në kohë të mjaftueshme përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”. Në vazhdim të këtij procesi Petit kërkoi nga qeveria të emërojë autoritetin e mbrojtjes së të dhënave. Ndërsa ambasadori i OSBE-së, Bosch, tha se në këtë proces duhet angazhimi të gjithë palëve. “Me qëllim arritjen e rezultateve të qëndrueshme është e rëndësishme të ketë një angazhim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet e procesit. Ministria e Brendshme dhe zyrat e Gjendjes Civile janë të vetëdijshme për sfidën madhore që shtrohet para tyre për ruajtjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit të ri”, - është shprehur ambasadori Bosch.
Angazhimi
Kryeministri Berisha, nga ana e tij, theksoi se reforma e Gjendjes Civile, e kartave të identitetit dhe e pasaportave biometrike është reforma më qendrore, me impaktin më të gjerë. “Është reformë me impakt të thellë politik, sepse i jep mundësi vendit të zhvillojë e ketë listat e votuesve dhe të gjithë infrastrukturën teknike të zgjedhjeve nga më modernet. Kjo reformë bën të mundur t’u ofrojmë qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira, shkurton kohën e pritjes për qytetarin, por edhe mundin për punonjësit e Gjendjes Civile”, - është shprehur Berisha, ndërsa deklaroi se “nuk do të jetë e largët dita kur do ta printojnë certifikatën nga shtëpitë”. Më pas kryeministri shpërndau në mënyrë simbolike certifikata të printuara për banorët Njësisë numër 10 në prani edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Berisha u shpreh me humor se një certifikatë të tillë do t’ia dorëzonte edhe kryetarit të Bashkisë Edi Rama. Kompjuterizimi i të dhënave të Gjendjes Civile në Shqipëri dhe lëshimi i certifikatave të printuara u bënë të mundura në sajë të projektit prej 2,5 milionë euro në kuadër të programit “CARDS” të BE-së, fonde shtesë të OSBE-së dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lëshimi i certifikatave të printuara filloi dje edhe në njësitë e qeverisjes vendore, Kamzë dhe Paskuqan. Certifikatat e printuara do të zëvendësojnë certifikatat e shkruara me dorë dhe do të ndihmojnë përmirësimin e shërbimeve publike.

Marrëdhëniet e tendosura mes qeverisë dhe OSBE-së

Misioni i OSBE-së në Shqipëri, si rrallë ndonjëherë, prej shtatë muajsh qëndron pa u mbështetur në një mandat të miratuar nga Asambleja në Vjenë. Kjo anomali duket se ka për shkaktare vetë qeverinë shqiptare, e cila si rregull luan rolin e saj jo pak të rëndësishëm në rifreskimin e mandatit të këtij misioni në vendin tonë. Si rregull, pasi përfundon mandati, rinisin negociatat me qeverinë lidhur me detyrat specifike të misionit dhe drejtimet kryesore ku ky komision do të kontribuojë. Pasi arrihet marrëveshja në parim, atëherë kjo marrëveshje i kalon për miratim Asamblesë në Vjenë, e cila vendos me votat e të gjitha shteteve anëtare për ta ratifikuar ose jo. Por duket se në mënyrë të paprecedentë, qeveria shqiptare e ka neglizhuar deri në mospërfillje procesin e negociatave duke dhënë një mesazh të qartë me (mos)veprimin e saj për këtë mision. Këto shtatë muaj duket se qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet se misioni i OSBE-së konsiderohet thuajse “i tepërt” prej saj. Nga ana e saj OSBE-ja reagoi pas debateve më të fundit në lidhje me praninë e saj në Shqipëri. Ajo ka bërë të ditur pak kohë më parë se po ndjek nga afër debatin rreth mandatit të saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe se ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - thuhet në reagimin e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja ka përcjellë për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu thekson se OSBE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar.

15 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›