OSBE kërkon konsensus dhe më shumë kohë për ligjin e spiunëve
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, kërkoi nga legjislativi shqiptarë, më shumë kohë për të diskutuar ligjin për dënimin e persekutorëve gjatë regjimit komunist. Bosh, në një deklaratë për shtyp, ka kërkuar që ligji të diskutohet me të gjitha grupet e interesit dhe me ekspertë të fushës, si dhe të merret dhe opinioni i publikut. “Prezenca e OSBE-së thekson se legjislacioni që është i rëndësishëm për publikun, veçanërisht kur pritet të krijojë dhe përplasje, duhet patjetër të ketë kohën e mjaftueshme për tu konsultuar me ekspertët, me grupet e interesit dhe me publikun e gjerë. Veç kësaj, duhet të lihet hapësirë kohore për debate të gjalla në Kuvend”, deklaroi Ambasadori Bosh. Kreu i prezencës së OSBE-së vërejti se Shqipëria është angazhuar që t’i miratojë ligjet vetëm pasi t’u nënshtrohen procedurave publike të mjaftueshme. Ai tërhoqi vëmendjen te nevoja për t’u siguruar që çdo ligj i miratuar t’u nënshtrohet mjeteve procedurale të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit. Kuvendi ka planifikuar të votojë projektligjin për pastërtinë e figurave publike më 21 korrik, përpara ndërprerjes së punimeve për sezonin veror. Ambasadori Bosh, gjithashtu, vërejti se prej shumë muajsh një sërë draftesh janë paraqitur në Kuvend pa i shtruar hollësitë e tyre në një debat serioz, qoftë në Parlament apo me publikun e gjerë dhe se programi aktual i Kuvendit nuk duket se ofron kohën e nevojshme për një diskutim të tillë. Ai, gjithashtu, shprehu shqetësimin se çështja nuk do të zgjidhej përfundimisht pa arritjen e një konsensusi të gjerë, ndërkohë që rihapja e vazhdueshme e kësaj çështjeje do të ishte në dëm të zhvillimit të Shqipërisë. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të ndihmojë autoritetet shqiptare në këtë çështje, në përputhje me mandatin e saj”, theksohet në deklaratën e Bosh.
19 Korrik 2008