E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre nenet që ndajnë dy draftet e PD-së për spiunët



Eljona Ballhysa

Brenda një kohë të shkurtër demokratët kanë paraqitur dy projektligje për spiunët në Kuvend që duken se janë pothuajse të njëjtë. Gjatë ditës së djeshme Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka marrë në shqyrtim projektin e hartuar nga deputeti demokrat Aldo Bumçi, ndërkohë që pak kohë më parë u shqyrtua projektligji i paraqitur nga demokrati Aleksandër Biberaj. Të dy projektet mbajnë të njejtin titull, për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve. Qëllimi dhe objekti i të dy projekteve është i njejtë, ndërkohë që të dy draftet i ndajnë vetëm 3 pika.
Ndryshimet
Deputeti demokrat Bumçi në projektin e tij nuk ka përfshirë si subjekte të procesit të verifikimit drejtuesit e mediave të shkruara dhe vizive. Ndërkohë që deputeti Biberaj në projektin e tij kishte parashikuar që pjesë e procesit të verifikimit të pastërtisë së figurës të ishin dhe drejtues, kryeredaktorë dhe redaktorë të mediave audio-vizive, si dhe të mediave të shkruara me një tirazh ditor më të madh se 2000 kopje në ditë. Një tjetër ndryshim është dhe mospërfshirja në projektin e Bumçit verifikimi i pastërtisë së figurës së përfaqësuesve të lartë të komuniteteve fetare me nënshtetësi shqiptare. Në draftin e Biberajt kjo kategori ishte përfshirë në procesin e verifikimit. Dy draftet e demokratëve i ndan dhe mënyra e përbërjes së Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Kështu, Aleksandër Biberaj në projektligjin e tij kishte parashikuar që Autoriteti të përbëhej nga pesë anëtarë, një prej të cilëve do ta zgjidhte Presidenti i Republikës, një Këshilli i Ministrave, një Drejtori i Përgjithshëm i SHISH, një grupi parlamentar më i madh i maxhorancës, dhe një grupi parlamentar më i madh i opozitës. Ndërsa në projektin e Bumçit parashikohet që Autoriteti të përbëhet nga pesë anëtarë, dy prej të cilëve do të propozohen nga shumica parlamentare, dy nga pakica parlamentare dhe kryetari duhej të zgjidhet me konsensusin e palëve. Një tjetër pikë që ndan dy projektet e demokratëve për spiunët është dhe verifikimi i subjekteve. Në projektin e Biberajt parashikohet që kandidatët për deputetë apo të zgjedhur vendorë të verifikohen vetëm pasi kanë fituar zgjedhjet. Ndërsa në projektin e Bumçit parashikohet krejt e kundërta. Në rastin e të zgjedhurve në Kuvend, në organet e qeverisjes vendore apo në organe të tjera përfaqësuese, kandidatët që konkurrojnë i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin zgjedhor. Në draftin e paraqitur në Kuvend nga Bumçi parashikohet që KQZ nuk regjistron kandidatin në rast se ky nuk paraqet dëshmi verifikimi të pastërtisë së figurës.
Debati
Pikërisht projekti i paraqitur nga Bumçi nxiti debate gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve. Opozita kundërshtoi projektin duke argumentuar se ai tejkalon kërkesat që rrjedhin nga rezoluta e miratuar në Kuvend në vitin 2006. Deputetët e opozitës braktisën mbledhjen e komisionit kur maxhoranca vendosi të shqyrtojë ligjin për çdo nen. Por largimi i opozitës solli ndërprerjen e mbledhjes për shkak se nuk plotësohej kuorumi i nevojshëm për të marrë vendime. Përfaqësuesi i opozitës, Arben Isaraj e cilësoi projektin e Bumçit, jo një ligj që synon hapjen e dosjeve të spiunëve, por një ligj lustracioni, i cili është i tejkaluar nga politika shqiptare që në vitin 1995. “Ky është ligj i lustrimit dhe jo i spiunëve. Me këtë ligj ne dalim jashtë rezolutës së miratuar nga Kuvendi në vitin 2006 e cila kërkon hartimin e një ligji për hapjen e arkivave dhe për bërjen publike të tyre. Ne duhet t’i përmbahemi asaj që kemi votuar dhe të mos dalim jashtë. Lustracioni nuk mund të përdoret për pozicione që vendosen nga zgjedhjet, vetëm në rastet kur kandidatët e kërkojnë vetë. Pastaj, sipas Këshillit të Evropës, Shqipëria e ka mbyllur procesin e lustrimit të figurave zyrtare, por nga ne kërkohet hapja e arkivave dhe bërja e tyre publike”, është shprehur Isaraj. Ndërsa Bumçi ka argumentuar se dy janë çështjet parimore për të cilat nuk është rënë dakord me relatorin Isaraj gjatë negociatave. Sipas tij, është e rëndësishme të përcaktohet se nëse duhet të verifikohen sërish personat e verifikuar më parë. Sipas Bumçit, PD-ja mendon se duhet të përfshihen të gjithë në procesin e verifikimit, ndërsa PS-ja mendon se ata që e kanë kaluar më parë procesin nuk duhet të bëhen sërish pjesë e tij. Po kështu një tjetër çështje, që sipas Bumçit kërkon sqarim është dhe fakti se çfarë vendimi do merret për personat që rezultojnë të papajtueshëm me postet që mbajnë. Sipas tij, PD-ja mendon se ai duhet të ndërpresë mandatin dhe të shkarkohet, ndërsa PS-ja mendon se nuk mund të ndërpritet mandati kushtetues ndaj ai do të vazhdojë të mbajë detyrën por do të bëhet publik emri i tij.

19 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›