E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

OSBE me krerët e Policisë Kufitare të rajonit, në fokus strategjitë e rritjes së sigurisë

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot përmes një postimi në rrjetet sociale zhvillimin e takimit vjetor ndërkufitar në Korçë, ku morën pjesë drejtorët e Policive Kufitare të rajonit.

Në këtë takim u diskutua situata e përgjithshme në kufijtë e rajonit, shkëmbimi i informacionit me interes të përbashkët dhe strategjitë kryesore për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar.

Pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes tyre, që ka ndihmuar në menaxhimin me sukses të rritjes së lëvizjes ndërkufitare gjatë verës dhe në përballimin e migrimit të parregullt.

Diskutimet u përqendruan në masat e sigurisë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta në rajon, ndërsa u riafirmua angazhimi për forcimin e bashkëpunimit për kufij më të sigurt dhe për të ofruar një përgjigje më efektive ndaj kërcënimeve të reja.

Takimet e këtij formati mbështeten nga Prezenca e OSBE-së dhe janë pjesë e Mekanizmit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ndërkufitar. Ky mekanizëm synon shkëmbimin e përvojave, zgjidhjen e çështjeve që lidhen me migrimin e parregullt, shkëmbimin e informacionit, patrullimin dhe trajnimet e përbashkëta, si dhe menaxhimin e flukseve në pikat kufitare gjatë sezoneve turistike.

1 nga 2

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›