OSBE, trajnim simulues në fushën e antitrafikimit të qenieve njerëzore

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Në Tiranë nisi sot trajnimi simulues treditor në fushën e antitrafikimit të qenieve njerëzore i organizuar nga prezenca e OSBE-së.
Ky trajnim i dytë simulues ndërtohet mbi suksesin e trajnimit të parë, në vitin 2021, një përpjekje novatore e mbështetur nga Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore të OSBE-së në Vjenë.
Përgjatë tri ditëve të trajnimit, rreth 40 profesionistë do të angazhohen në zbatimin e skenarëve realë të trafikimit, për të identifikuar viktimat dhe për t’i hetuar rastet sipas një qasjeje të bazuar në të drejtat e njeriut dhe me në qendër viktimën.
Pjesëmarrësit në trajnim janë punonjës socialë, punonjës të policisë, prokurorë dhe organizata të shoqërisë civile.
Trajnimi zhvillohet si pjesë e projektit të Prezencës së OSBE-së “Avancimi i kapaciteteve antitrafikim të Shkollës së Magjistraturës dhe Akademisë së Sigurisë”, që financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Norvegjia dhe Italia. /j.p/
1 nga 24