OSBE/ODIHR: PS ta bëjë opozitën në Parlament
Gjatë vizitës së saj në Vjenë, Zv. Ministrja Harxhi u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Z. Marc Perrin de Brichambaut të cilin e falenderoi për bashkëpunimin e suksesshëm dhe për gjithë asistencën që OSBE ka dhënë e jep për Shqipërinë, sidomos në lidhje me monitorimin e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit të vitit të kaluar. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së e falenderoi znj. Harxhi për gatishmërinë e autoriteteve shtetërore shqiptare për të bashkëpunuar pa rezerva me të gjitha strukturat e OSBE-së, me ODIHR-in, me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, por edhe me Praninë e OSBE-së në Tiranë. Ai theksoi se Shqipëria vlerësohet në Vjenë si një histori suksesi, dhe se raporti përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme i OSBE/ODIHR, si dhe deklaratat e BE-së dhe SHBA-së për këto zgjedhje, ishin mjaft pozitive dhe vlerësuan përmbushjen e shumicës së standardeve të kërkuara nga OSBE duke i dhënë kështu legjitimitetin e plotë Parlamentit të dalë nga këto zgjedhje.
Në vijim të axhendës, Harxhi zhvilloi një takim edhe me Përfaqësuesin e Asamblesë Parlamentarë të OSBE-së, Andreas Nothelle, të cilin e informoi mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe mbi situatën e bojkotit të Parlamentit nga opozita. Nothelle theksoi se ka vëzhguar disa proçese zgjedhore në Shqipëri dhe vlerësoi progresin e madh dhe cilësor që zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dëshmuan në Shqipëri. Nothelle theksoi se raporti përfundimtar për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri është një dokument konsensual i të gjitha ekipeve vëzhguese që morën pjesë në monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve, dhe ky raport duhet lexuar me realizëm, për të përmirësuar edhe ato pak defekte teknike që u vunë re gjatë procesit. Ai theksoi gjithashtu se të gjithëpërfaqësuesit e zgjedhur të partive politike duhet të punojnë brenda Parlamentit, me frymë konsensuale, ashtu si edhe ne këtu në OSBE, për të plotësuar rekomandimet e bëra në raport.