Sejdiu e Gyl dakordohen për thellimin e bashkëpunimit
Zyra për media e Presidencës, përmes një njoftimi për media bëri të ditur se presidentit të Republikës, Fatmir Sejdiu i është bërë pritje madhështore, ndërsa duke shfaqur bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, drejtuesit e shtetit turk vlerësuan se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.Presidenti Sejdiu me këtë rast theksoi se në Turqi ka shkuar për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e madh të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e jashtëzakonshme që ka dhënë dhe po jep Republika e Turqisë për Kosovën.“Ju jeni pjesë e historisë së Kosovës në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë... Na jeni gjetur pranë në orët më të liga të historisë sonë dhe po na ndihmoni edhe sot, si në procesin e njohjeve dhe të integrimit, ashtu edhe në atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, ndaj ne jemi thellësisht të përkushtuar që marrëdhëniet tona të intensifikohen edhe më shumë për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, tha Sejdiu, duke shtuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën ka qenë dhe është substanciale.Ndërsa, presidenti i Turisë Abudullah Gyl tha se shteti i tij i gëzohet çdo ditë progresit të arritur në Kosovë, që është një argument se ky vend është faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon.“Popujt e dy vendeve tona janë në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përherë, duke lobuar kudo për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende”, tha Gyl.Ai vlerësoi se njohja e Kosovës nga 65 vende të botës, si dhe anëtarësimi në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar është dëshmi se në Kosovë janë arritur suksese.Duke shfaqur bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presidenti Gyl vlerësoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.“Republika e Turqisë ka qenë udhërrëfyese për të gjitha vendet e botës islamike, duke e njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, ndaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga vendet e kësaj konference që edhe ato, sa më parë, të ndjekin rrugën tonë”, pohoi Gyl.Sejdiu në ditën e parë të vizitës së tij në Turqi u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mehmet Ali Shahin, i cili ritheksoi vendosmërinë e këtij institucioni të lartë të shtetit turk për të mbështetur parlamentarët e Kosovës edhe në të ardhmen, si dhe do të vazhdojnë të ndikojnë në kontaktet e vazhdueshme me vendet e Konferencës Islamike që ta njohin sa më parë Republikën e Kosovës.Ndryshe, presidenti i Kosovës po qëndron për një vizitë dyditore në Turqi me ftesë të presidentit Abdullah Gyl.