E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSCE: Shumë shkelje në zgjedhjet ruse

Vëzhguesit ndërkombëtarë lëshuan një raport kritik mbi zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Rusi, duke argumentuar se ishin të shumta shkeljet e vërejtura prej tyre.

OSCE theksoi se disa prej shkeljeve të bëra në favor të partisë së Putin, “Rusia e Bashkuar”, ishin flagrante. Midis parregullsive renditen edhe kuti me më shumë vota se votues.

”Procesi i votimit u shtrembërua në favor të partisë në fuqi. Administrata zgjedhore nuk ishte e pavarur, shumica e mediave ishin jo të bazarpeshuara, ndërsa autoritetet ndërhynë pothuajse në të gjithë nivelet e zgjedhjeve për të fituar favore”, deklaroi të hënën zëdhënësi i OSCE-së, Petros Efthymiou.

Nga ana e tij, presidenti Dimtry Medvedev i cilësoi votimet si të drejta, të ndershme dhe demokratike. Pavarësisht manipulimeve, rezultatet zyrtare treguan një rënie të ndjeshme të mbështetjes për partinë e Putin e Medvedev, që nga 2/3 e preferencave, u ndal në vetëm 50% të votave.

Votimet janë konsideruar nga mediat ndërkombëtare si një testim i madh për popullaritetin e Putinit, i cili ka vendosur që të konkurrojë për president në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në mars 2012.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, shprehu “shqetësim të thellë” për të gjithë parregullsitë e shfaqura gjatë procesit zgjedhor.

Nga ana e saj, forca e dytë më e madhe politike në vend, Partia Komuniste, u shpreh se do të sfidojë rezultatet e zgjedhjeve në gjykatë, pasi rezultatet ishin “tërësisht të jashtëligjshme”. Vetë komunistët ishin fituesit e vërtetë të procesit, duke u rritur dukshëm në pothuajse 100 deputetë, nga vetëm 54 që mbanin në legjislacionin e mëparshëm, në Dumën me 450 vende.

I vetmi grup i pavarur monitorues rus, Golos, regjistroi 5 300 ankesa për abuzime gjatë zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›