E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH-ja kërkon rritje 23,1 për qind të tarifës

26/11/2009  Zhvillohet seanca dëgjimore. Dobjani: Rritja në kurriz të konsumatorëve

Energjia, edhe KESH-i e OST-ja duan rritje të çmimit

Plot 11,83 lekë mund të jetë çmimi i ri i energjisë për konsumatorët. Ky është niveli i rritjes së çmimit të energjisë elektrike që pronari i ri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, kompania CEZ kërkon për vitin e ardhshëm, nivel që është 23.1 për qind më i lartë se ai aktual prej 7 lekësh. Gjatë seancës dëgjimore, drejtuesit e OSSH-së e kanë argumentuar kërkesën për rritjen e çmimit me nivelin e lartë të humbjeve, borxhet e shumta që ka OSSH-ja, si dhe gjendjen e vështirë financiare të kompanisë. Drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë kërkuar rritje deri në 44,2 për qind të tarifës së energjisë elektrike. Sipas drejtorit të përgjithshëm të OSSH-së, Josep Hejsek, rritja në këtë nivel e çmimit të energjisë për konsumatorët do të thotë një mbulim sa më i mirë i humbjeve që i janë shkaktuar deri tani kompanisë çeke. Kjo e fundit që prej muajit qershor të këtij viti është bërë pronare e vetme e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të energjisë, por ky vit ka qenë aspak i favorshëm për kompaninë. “Ne aplikuam për një rritje të çmimit të energjisë në masën 44,2 për qind, i cili do të mbulonte kostot dhe do të dilnim me humbje zero. Por në kushtet aktuale, ne kërkojmë që vitin e ardhshëm çmimi të rritet me 23.1 për qind dhe diferencën prej 21 për qind do ta kërkojmë si rritje në vitin 2011. Ne aktualisht paguajmë për energjinë KESH-in dhe OST-në, kemi kostot operative dhe humbjet në rrjet janë shumë të larta. OSSH-ja ka borxhe të këqija dhe bilanci financiar i kompanisë për vitin 2009 do të dalë me humbje. Ne shpresojmë që Enti Rregullator ta rrisë çmimin, me qëllim që të rimëkëmbim kompaninë”, - tha në fjalën e tij drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Josep Hejsek. Madje drejtues të kompanisë kërkuan që të mos zbatohet më tarifimi me dy nivele i konsumatorëve. Aktualisht sipas tyre, niveli me tarifimin deri në 300 kilovat orë mbulon një pjesë të madhe të popullatës. Në të njëjtën linjë edhe KESH-i apo Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë kërkuar rritje të çmimit. Korporata Elektroenergjetike shqiptare kërkon që çmimi me të cilin i shitet energjia OSSH-së të bëhet 2.78 lekë për kilovat orë, ndërsa OST-ja ka kërkuar që tarifa e transmetimit të energjisë të rritet në 0.79 lekë për kilovat orë. Pasi ka dëgjuar të gjithë argumentet, Enti Rregullator i Energjisë pritet të marrë një vendim për kërkesat e bëra nga tre kompanitë brenda muajit dhjetor. Ndërsa për Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani, është e padrejtë që të rritet tarifa e energjisë, pasi e gjithë kjo situatë do të rëndojë në kurriz të konsumatorëve të varfër. Aq më tepër kur Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nuk ka përmbushur ende një nga detyrimet e veta, siç është pajisja me matësa të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›