OSSH parashikon 1.96 miliardë lekë investime në zona me përparësi

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë OSSH po investon 1.96 miliardë lekë gjatë vitit 2026 për përmirësimin e infrastrukturës energjetike në zonat turistike të vendit.
Sipas raportit të paraqitur nga OSSH, pranë Entit Rregullator të Energjisë ERE, investimet për vitin 2026 përfshijnë disa drejtori rajonale ku pjesën më të madhe të fondeve do ta marrë Vlora.
Ndërhyrjet në zonat turistike synojnë rritjen e kapaciteteve të rrjetit ndërtimin dhe rikonstruksionin e linjave të tensionit të mesëm dhe të ulët si dhe modernizimin e nënstacioneve që mbulojnë zona të njohura për fluks të lartë turistësh.
Për investimet në nënstacione parashikohet një fond prej 660 milionë lekësh, ndërsa për ndërtimin dhe rikonstruksionin e linjave të tensionit të lartë fondi në dispozicion llogaritet 250 milionë lekë.
Sa i takon drejtorive rajonale Vlora do të marrë 400 milionë lekë, Durrësi 271 milionë lekë dhe Shkodra 184 milionë lekë.
Kjo masë vjen si përgjigje ndaj kërkesave në rritje të energjisë për sektorin e turizmit dhe korrespondon me ecurinë pozitive të sektorit i cili shënon rritje nga viti në vit me hyrjen e shtetasve të huaj.
Nga ana tjetër edhe kërkesa për energji ka shënuar rritje vit pas viti dhe sipas të dhënave të OSSH energjia e injektuar në rrjetin e OSSH-së ishte 7,398 GWh në vitin 2022 7,578 GWh në vitin 2023 7,881 GWh në vitin 2024 dhe 8,251 GWh në vitin 2025.
OSSH raporton se ka rritje mesatare reale të kërkesës për energji prej 3.57% për periudhën 2022-2025, e cila është kryesisht e përqendruar në qendrat urbane të mëdha si Tirana Durrësi dhe Fieri, si dhe në zonat turistike ku dinamika e zhvillimit ekonomik dhe urbanistik është më intensive.
Ky plan investimesh synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike të qëndrueshme në zonat turistike dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe turistik duke përmbushur kërkesat në rritje të konsumatorëve dhe bizneseve në këtë sektor.

/a.f/