Cashlees Albania dhe inovacioni ne fokus te forumit “Investing for Impact 2026”

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me INNVEST dhe Visa, organizuan forumin “Investing for Impact Forum 2026”, i cili mblodhi përfaqësues të lartë nga institucionet qeveritare, organizatat financiare ndërkombëtare, partnerët e zhvillimit dhe sektori privat.
Forumi shërbeu si një platformë strategjike për të avancuar një vizion të përbashkët për rritje ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të orientuar nga ndikimi në Shqipëri, duke theksuar mënyrat se si kapitali global, inovacioni dhe bashkëpunimi ndërsektorial mund të përkthehen në rezultate konkrete lokale.
Ky forum trajtoi gjithashtu axhendën Cashless Albania 2026-2028, duke vënë theksin mbi inovacionin fintech, reformën rregullatore dhe zhvillimin e ekosistemeve financiare të drejtuara nga të dhënat.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, duke nënvizuar angazhimin e qeverisë në këtë fushë, tha se Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të transformimit të saj ekonomik.
“Përmes reformave të vazhdueshme strukturore, përshpejtimit të digjitalizimit dhe forcimit të partneriteteve publik-privat, ne po formësojmë një ekosistem ku inovacioni mund të lulëzojë, bizneset të rriten dhe qytetarët të marrin pjesë plotësisht në një ekonomi më gjithëpërfshirëse dhe konkurruese. Ambicia jonë nuk është vetëm të ecim në hap me zhvillimet globale, por të krijojmë një mjedis dinamik ku sipërmarrja dhe inovacioni bëhen shtytës kryesorë të rritjes së qëndrueshme”, tha Musabelliu.
Sipas tij qeveria ka në fokus një axhendë të gjerë reformash të fokusuar në përmirësimin e klimës së biznesit, duke reduktuar barrierat administrative, rritur transparencën dhe përafruar kuadrin rregullator me standardet evropiane; përshpejtimin e transformimit dixhital, duke zgjeruar shërbimet publike digjitale, nxitur ndërveprueshmërinë dhe mbështetur adoptimin e teknologjive digjitale në industri; si dhe fuqizimin e SME-ve, përmes rritjes së aksesit në financë, iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve dhe politikave që mbështesin inovacionin, konkurrueshmërinë dhe ndërkombëtarizimin.
Ledia Bregu, drejtoreshë e Sistemeve të Pagesave dhe Kontabilitetit në Bankën e Shqipërisë, theksoi se avancimi i pagesave digjitale dhe forcimi i edukimit financiar janë kyçe për integrimin e më shumë qytetarëve dhe bizneseve në ekonominë formale.
Ndërsa, Fabiola Duro, themeluese e INNVEST, vuri në pah rëndësinë e përafrimit të investimeve me prioritetet afatgjata të zhvillimit:
“Investimi me ndikim nuk është më opsional, është thelbësor. Përmes INNVEST, ne kemi punuar për të ngushtuar hendekun midis inovacionit, sipërmarrjes dhe kapitalit, duke lidhur startup-et, SME-të, investitorët dhe institucionet për të krijuar mundësi reale për rritje në të gjithë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Hapi i radhës është i qartë: të thellohet partneriteti, të çlirohet më shumë kapital dhe të sigurohet që çdo ide premtuese të ketë një rrugë drejt ndikimit në ekonomi.”
Najada Kumbuli, presidente e Visa Foundation, nënvizoi se vendi ka potencialin të bëhet një shembull udhëheqës për mënyrën se si pagesat dixhitale, kapacitetet financiare dhe inovacioni praktik mund të nxisin rritje reale ekonomike, jo vetëm në teori, por në jetën e përditshme të bizneseve të vogla dhe sipërmarrësve.
“Themeli tashmë është vendosur. Hapi tjetër është zgjerimi i aksesit, forcimi i aftësive dhe sigurimi që infrastruktura dixhitale të përkthehet në pjesëmarrje reale ekonomike.”
Forumi përforcoi një ambicie të qartë: të nxisë partneritete që transformojnë investimin në mirëqenie të përbashkët, qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri afatgjatë.
1 nga 5