OVL-UÇK mbështet propozimin e Haradinajt që Thaçi të zgjidhet president pas kthimit në Kosovë

PRISHTINË, 22 gusht /ATSH/ Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka mbështetur propozimin e ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj, që Hashim Thaçi të rimarrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës dhe të zgjidhet president pas kthimit të tij në Kosovë.
Në një postim në Facebook, OVL-UÇK ka vlerësuar se ky propozim “mbart peshë kombëtare dhe institucionale” dhe se i shërben, sipas tyre, frymës unifikuese në vend.
“Roli i Hashim Thaçit në shërbim të luftës çlirimtare dhe më pas përgjegjësitë institucionale nëpër të gjitha proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese janë garanci dhe siguri për ecjen përpara të Kosovës në krah me aleatët tanë strategjikë”, thuhet në postimin e tyre.
OVL-UÇK u ka bërë thirrje institucioneve relevante dhe forcave politike që ta shqyrtojnë seriozisht këtë propozim, duke e vendosur atë përtej ndasive partiake.
“Sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të mbizotërojë interesi kombëtar, dinjiteti dhe siguria e shtetit, duke mos anashkaluar asnjëherë nderimin dhe respektin për ata që luftuan, sakrifikuan dhe fituan lirinë dhe shtetësinë e Kosovës”, thuhet më tej.
Ndërkaq ditën e sotme, Haradinaj në një konferencë për media ka thënë se vazhdimi i mandatit të ish-presidentit Hashim Thaçi pas kthimit të tij do të ishte, sipas tij, një çështje e interesit kombëtar dhe kundërpërgjigje ndaj atyre që i konsideron “armiq të Kosovës”.
“Është nderi i kësaj legjislature, po edhe i çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin Presidentit Thaçi”, është shprehur Haradinaj. /KosovaPress/