OZNA na kapi
Një portal marroq në Prishtinë përpiqet tia bëjë ndonjë hair Qeverisë, përmes hiç më pak se zbulimit të një komploti antiqeveritar. Sipas këtij kinse plani të shoqërisë civile, i cili publikohet tek pasi retushohen detajet nga spiunë partiakë, gazetarët qenkan përfshirë në një grusht shteti, me mjetet e tyre të punës: një penë ose PC në dorë. Deja vu (kaherë e parë) në shoqëritë totalitare
Bashkëpunimi i do gazetarëve pa etikë me spiunët lokalë është i njohur që moti që nga BRSS-ja dhe në tërë bllokun komunist, pastaj arriti te Kamboxhia e Pol Potit, Kuba e Castros, Venezuela e Chavezit ose në Iranin e ajatollahëve. Ideja e akuzimit të gazetarëve kritikë për ti fshehur dështimet dhe hajnitë e pushtetit, para do ditësh zbarkoi në Ankaranë e Erdoganit, prej nga u importua në Tiranë, pas 21 shkurtit, kur ndër puçistët pushteti i gjeti edhe katër gazetarë shqiptarë dhe nga andej ia behu edhe në Prishtinë. Këtu media proqeveritare zbuloi komplotistët, ndër të cilët, pa iu dridhur dora, renditen edhe gazetarë.
Demokracia as që mund të mendohet pa medien e lirë dhe gazetarët kritikë, përndryshe pasurimi nga zyra publike dhe abuzimi i pushtetit do ta gërryenin vetë legjitimitetin e shtetit dhe do ta shpinin në tirani.
Andaj, pushteti i papërgjegjshëm shkatërron institucionet e shtetit, e jo gazetarët. Gazetarët shkruajnë për të mos e lënë Qeverinë të gabojë, pra përdorin një të drejtë legjitime, por nuk u përket atyre të merren me organizimin e protestave apo të thërrasin në padëgjueshmëri qytetare, qofshin ato edhe kauza të drejta e të përligjura qytetarisht. Përmendja e emrave të gazetarëve si pjesë e debatit për protesta, nga shoqëria civile dhe pastaj publikimi i këtyre emrave komplotistë nga media proqeveritare dhe fjalët kundërmuese për ta, të shqiptuara nga presidenti i vendit, pos që dëshmon paranojën e këtij pushteti, janë edhe thirrje të tërthorta për ta legjitimuar dhunën e pushtetit ndaj gazetarëve dhe fshehjen e dorës që e ka rrezikuar rëndë lirinë e shtypit në Kosovë.
Një Qeveri e pakicës (pra me shumicën shqiptare në opozitë) dhe e cila e di se është jolegjitime e që sundon me dorë të fortë, nuk ka punë tjetër pos që të prodhojë dhe të zërë komplotistë në Prishtinë. Sipas teorive konspirative, nëpër zyrat e nëndheshme fabrikohen armiq, sa më shumë armiq, që kundërgoditja të jetë madhështore, madje edhe legjitime në sytë e një votuesi naiv ose qytetari pasiv, të cilit i është vjedhur vota dhe shpirti…
Qeveria e tillë është paranoike, frikësohet vetë, së këndejmi shfaqet e egër dhe frikësuese ndaj qytetarëve dhe me biçim të OZNA-s, i zbulon dhe i kap ata, në emër të popullit dhe kinse në mbrojtje të tij…
Njëjtë, sikur që këtu e tridhjetë vjet më parë, pas Pranverës 81 në Kosovë, kryetari i RSFJ-së, Lazar Mojsov, ua tundte para hundëve kolegëve të tij të Presidencës jugosllave, një copë letër koti, duke i alarmuar se e kishte në dorë Dokumentin e Shtabit të Irridentes (stapski dokument), i cili kurrë nuk u bë i gjallë dhe nuk u publikua edhe pas varrimit të Burgut të popujve.
Tridhjetë vjet më pas, përmes titujve bomba në një portal fantazmagorik dhe në disa gazeta të Prishtinës, mëtohet që ti thuhet popullit se ka kush e mbron nga komplotistët, që po përpiqen ta rrëzojnë jo vetëm pushtetin, por edhe ta shkatërrojnë shtetin.
Mos pastë më në Kosovë njeri që u beson broçkullave të tilla!
Dhe kjo nuk është Tirana pas 21 shkurtit, as Stambolli i fillimmarsit, kjo është Prishtina e 13 marsit. Republika e Kosovës, shtet nominalisht demokratik dhe i mirëmbajtur nga Perëndimi.
Na kapën, se kushedi, çfarë ëndrre kemi parë në natën mes 12 dhe 13 marsit, ose na i kanë zënë mendimet nhava (në mënyrë ajrore, thotë një reklamë bizare) përmes transportimit onllajn të fajllave, sikur zihen fluturat!?
Dhe, po atë natë u mblodh Pallati me urgjencë, përkatësisht Tabir Saraj dhe u thirr kryeinterpretuesi i ëndrrave, më i zoti në shtatë nahije, sepse ta zëmë, unë, kisha parë ëndërr Hitlerin, Stalinin dhe Titon duke hëngër shtalba!?
Dhe, kryeinterpretuesi i ëndrrave ishte djersitur goxha fort nga tuta, që ti jepte kuptim kësaj ëndrre, sepse do ti shkonte kryet, natyrisht nëse nuk di tu bëjë derman vozhdave (shefave) se çfarë domethënë ëndrra ime ose e kujtdo qoftë.
Pra unë, paskësha parë ëndrrën komplotiste me tre diktatorë, që, me demek, si gjaja e gjallë po e hanë bereqetin e stinës, kollomoqin!?
Interpretuesi i stërmunduar e kishte gjetur zgjidhjen e enigmës: Tre vozhdat (cilësor sllav për shefin Stalin) paraqesin simbolikisht prototipat e tre liderëve dhe miqve aktualë në Ballkan, kurse kollomoqi shtalb është buxheti i shtetit.
Pjesën tjetër të ëndrrës lë ta zbërthejë vetë lexuesi…
Dhe pushteti në Prishtinë, së pari në levat e veta propagandistike, portalet dhe gazetat proqeveritare nisi ta përgatisë operacionin Grushti i hekurt: Mbylluani gojët gazetarëve!
Pas 21 shkurtit pushteti shqiptar në Tiranë u përpoq ti spiunonte e pastaj ti penalizonte Andi Bushatin, gazetar, Filip Cakullin, gazetar, Sokol Ballën, gazetar, Mero Bazen, gazetar… Emrat e këtyre kolegëve tanë u patën vënë në shtyllën e turpit, sepse pushteti paranoik i Tiranës ua ngriti akuzën më të pakuptimtë dhe më agresive: Ata paskëshin inspiruar, ideuar dhe kryer aktin e shëmtuar të grushtit të shtetit! Sepse, ata thjesht kanë menduar me zë.
Katër gazetarë kundër shtetit. E pabesueshme.
Kur pas 21 shkurtit një komision njëpartiak parlamentar në Tiranë u shpalli fatvanë katër gazetarëve shqiptarë dhe i thirri të dëshmojnë për puçin, pakkush në Prishtinë e mendoi se kjo është fryma e kohës në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse regjime të egra dhe paranojake pasi e kanë kapur shtetin, e heshtin qytetarin dhe tërë shoqërinë, duke ia vjedhur votën e lirë dhe shpirtin.
Sërish, u kapën gazetarët, por këtë herë në Stamboll, nga dosti më i mirë i Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, Recep Tayyip Erdogan.
Por duket se otomanit të fundit nuk po i del pazari, sepse shteti i tij me këtë model sundimi mund të shohë vetëm ëndërr BE-në, e statusin e vendit kandidat e mban rrum qe 40 vjet, por me këtë qeverisje brutale, nuk do tia dalë edhe 40 të tjera!
Dhjetë gazetarë janë kapur nga shërbimet sekrete të Erdoganit, vetëm në valën e fundit, kinse për organizimin e një grushti shteti, sepse ata si gazetarë profesionistë e kanë përdorur të vetmin mjet legal dhe legjitim që e kanë: lirinë e fjalës (shtypin e lirë) dhe të shprehjes, gjë që nuk i shkon përshtat diktaturës moderne.
Në burgjet e Turqisë janë mbi 50 gazetarë, ndërkohë që 100 tjerë janë të rrezikuar nga arrestimet,” citon CNN, Dogan Tilicum, zëdhënësin e Platformës së Turqisë për Lirinë e Gazetarëve.
Arrestimi i gazetarëve ka provokuar edhe një debat midis Qeverisë turke dhe Ambasadës së SHBA-së në Ankara, e cila ka kërkuar hetim të çështjes. Shqetësim për gjendjen ka shprehur edhe Komisioni Europian, nëpërmjet komisionerit Stefan Fule.
Për ata që nuk e dinë se qysh pushteti e zë lepurin me kerr duhet tua përkujtoj se OZNA – Sektori për mbrojtjen e popullit (Odelenje za zatitu naroda) ka qenë pararoja e lidershipit komunist në Jugosllavinë e partizanëve të Titos e të Rankoviqit, sepse sipas tyre, armiku duhet të kapet ende pa e kryer veprën, kur atë e ka sall në mendje ose besohet se mendon armiqësisht, ose thjesht sheh një ëndërr.
Krimet e kryera ndaj qytetarëve të ish- Jugosllavisë nga këto organizata sekrete janë të egra, e posaçërisht llahtaria ishte orientuar kundër atyre që guxonin të mendonin ndryshe ose që në ndonjë mënyrë m
