E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama Ja sfidat e se ardhmes. Momenti yne i Sputnikut

Presidenti amerikan Barak Obama shfrytëzoi fjalimin e tij të dytë mbi gjendjen e vendit për të shpalosur synimet e tij për Shtetet e Bashkuara dhe për të bërë thirrje për investime në novacione, hulumtime, zhvillim dhe infrastrukturë. Në fjalimin e përvitshëm që mbajti të martën në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve në ndërtesën e Kongresit amerikan, Presidenti Obama foli për gjendjen e ekonomisë dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të duhur për përparim. Por ai shtoi se vendi duhet të angazhohet më shumë për të ruajtur rolin udhëheqës dhe për t’i bërë ballë konkurrencës botërore në të ardhmen.

Obama tha se nuk dihet nëse industritë dhe vendet e reja të punës do të zënë fill në Amerikë ose në ndonjë vend tjetër. Ai përmendi Kinën dhe Indinë si vende që kanë investuar në arsim, hulumtime dhe teknologji të reja për t’u bërë më konkurrente në botë. Mirëpo, ai tha se konkurrenca për vende pune nuk duhet t’i shkurajojë amerikanët, por t’i sfidojë ata.

Ai tha se brezi i sotshëm ndodhet në një çast vendimtar si në kohën e Sputnikut. Sa i përket reformës në shëndetësi – të cilën republikanët thonë se duan ta shfuqizojnë ose ta zëvendësojnë – ai tha se është i hapur ndaj ideve për përmirësimin e ligjit, por se nuk është i gatshëm të mënjanojë aspektet që thotë se e kanë përmirësuar mbulimin me sigurim shëndetësor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›