Obama: debate më të kujdesëshme mbi reformen shëndetësore

Presidenti amerikan Barak Obama dhe anëtarë të partisë republikane në opozitë po bëjnë thirrje që debatet për reformën në kujdesin shëndetësor, të cilat po bëhen gjithnjë e më të ashpra, të zhvillohen më me respekt.
Presidenti Barak Obama
Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm, presidenti Obama u bëri sot thirrje amerikanëve që sipas fjalëve të tij "të mos ngrenë zërat" dhe "të flasin për pikëpamjet e ndryshme që ekzistojnë në të vërtetë."
Ligjëvënësit në Uashington janë me pushime dhe një pjesë e madhe e demokratëve po përballen me qytetarë të zemëruar gjatë takimeve të hapura ku po diskutohet plani i zotit Obama për kujdesin shëndetësor.
Presidenti Obama tha se kritikët, të cilët janë të interesuar ta parandalojnë miratimin e reformës në shëndetësi, po përpiqen t'i trembin njerëzit për t'i bërë ata t'i kundërvihen planit.
Gjatë fjalimit të përjavshëm të republikanëve, senatori Orrin Hatch gjithashtu mbështeti një debat që zhvillohet në frymën e respektit të dyanshëm dhe ra dakort që reforma e kujdesit shëndetësor është e nevojshme.
Senatori Hatch tha se sigurimi i "kujdesit shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm financiarisht për çdo amerikan" nuk është çështje vetëm e demokratëve apo vetëm e republikanëve. Por ai tha, megjithatë se "më shumë shpenzime, më shumë taksa, apo më shumë qeverisje, nuk janë përgjigja e duhur". //mm//