Nekropolitika opozitare mori çka e kishte me hak në zgjedhjet e 28 qershorit
Refleksion për propagandën obstruksioniste, që kulmoi me fatkeqësinë e Gërdecit
Gërdeci i bëri një surprizë të hidhur propagandës zhurmëmadhe të PS-së, që u orvat të bindte gërdecarët, në radhë të parë, se fatkeqësia e tyre ishte e qëllimtë. Iu vu edhe gishti fajtorit. Sipas një skeme të pandryshuar, kuptohet se duhej të përgjigjej një parti dhe një person. Kuptohet se partia ishte PD-ja dhe personi ishte Berisha!
Analogjia me humbjen aksidentale të Kosta Trebickës është tepër e përputhshme: U provua me ekspertë të huaj se nuk ishte atentat, por aksident. Kështu u mbyll përfundimisht propaganda për këtë ngjarje të dytë.
Por ne e kemi fjalën për atë që u bë kali i betejës në të gjithë propagandën parazgjedhore të PS-së. Dhe çështja mori përmasat e „Affaire Dreyfus-it“ të Emil Zolá-it. Të gjithë megafonët propagandistikë të opozitës e bënë lajtmotiv : Gërdeci… Gërdeci... Gërdeci. Nekropolitika obstruksioniste e komanduar mori lartësí stratosferike!
Por a u bë i besueshëm për popullin ky politizim i patenzonë? Pyetja merr një përgjigje të menjëhershme, nëse shtrohet edhe një pyetje tjetër: A u bë i besueshëm për vetë gërdecarët ky shfrytëzim i një fatkeqësie, për kredibilitet politik?
Përgjigjen e dha votimi parlamentar i 28 qershorit të 2009-s. Humbja e socialistëve në Gërdec tregoi se banorët e kësaj qyteze (tani ai fshat u bë qytezë), i dha një grusht të rëndë pabesueshmërisë së intrigave të opozitës, me në krye PS-në e Edvin Ramës. Ata që pësuan atë fatkeqësi të tmerrshme, ditën ta zbërthejnë të vërtetën dhe mashtrimin për të përfituar nga një fatkqësi. Ata që e pësuan fatkeqësinë nuk ranë nën kuthin e një propagande cinike. Në Poliçan, ndodhi e njëjta gjë. Edhe në Qafë-Shtamë. Edhe gjetiu. Pavarësisht se me viktima shumë më të pakta. Në kohën e qeverisjeve të majta, madje. Sigurisht elemente të pakujdesisë mund të evidentohen. Por ne nuk e kemi fjalën për këtë çështje, por për atë që përbën një rrezik në vazhdim, për shkak të regjimit të diktaturës së E. Hoxhës, që e bëri pëllëmbë e armatim të gjithë vendin, se iu bë ferra Ibrahim që do të sulmohej nga imperializmi, i cili nuk e kishte në refené fare Shqipërinë.
Por nuk mund të loznin rolin e moralizatorit ata që kishin në dorë të shpëtonin viktimat dhe në datën fatale 9, lanë të mbyteshin shumë e shumë fatkëqij, që kishin dhënë alarmin me celularë se ishin në rrezik të përpiheshin nga valët e detit Jon, ndërsa qeveria e atëhershme socialiste bëri sehir, në vend që t’u vinte në ndihmë viktimave, që u lanë në mëshirën e detit. Duket se gërdecarët e kuptonin me mënçuri se çfarë “humanizmi” kishte opozita e paskorrikut të vitit 2005. Krahasimi i të dy ngjarjeve ishte i qartë, ndonëse analogjia mungonte. Sepse e para ishte e shmangshme, kurse e dyta ishte e pashmangshme. Përse nuk u shmang në Poliçan?
Gërdecarët i njihnin politikisht të dy palët dhe këtë e provoi vota e tyre. Ata e kuptuan drejt dhimbjen njerëzore të fatkeqësisë së tyre nga ana e qeverisë, me masat e mënjëhershme që mori për të mbijetuarit, me rregullimin e atypëratyshëm të të pastrehëve gjer në ndërtesat e pushimeve beharore në Durrës; e dinë më mirë se kushdo që kërkoi të turbullonte ujërat sesi u çuan pa vonesë të plagosurit në Janinë, në Itali e gjetiu. Gërdeci u rindërtua në një kohë rekord dhe u bë nga fshat, qytezë, me një plan rregullues pa humbur as minutën, - siç thuhet. Krahasimi mund të bëhet vetvetishëm, me atë ngjarjen e mbytjeve të gomoneve në brigjet shqiptare të jugut, pa qenë analoge në masat humanitare që duheshin marrë për pakësimin e dhimbjes njerëzore: Është ngritur një Shoqatë e familjarëve të viktimave, për të protestuar gjer në ditët e tanishme, për atë shpërfillje që është një shkelmim i grimës më të vogël të humanizmit, nga ana e një qeverisjeje tetëvjeçare , për të cilën populli shprehet „mos ardhtë kurrë ajo ditë“!
Me qenë se dyfjalëshi „vepër kriminale“ u bë tepër i koonsumuar për ngjarjen e hidhur të Gërdecit, ka rëndësi të vërehet se në kriminalistikë veprimi më i parë që bëhet për identifikimin e autorit të krimit, është „Kush ka interes për një krim të caktuar“. A mund të ishte e interesuar qeverisja në fuqi? A mund të kishte interes politik opozita? Në të vërtetë ajo që e ndjeu fatkeqësinë më tepër, pas atyre që e pësuan në vetë të parë, ishte vetë qeveria. Ajo që e shfrytëzoi politikisht gjer në përmendjen e fjalës veprimtari kriminale, ishte opozita. Në funksion të rimarrjes së pushtetit me çdo kusht, kjo ngjarje dramatike ishte fatlume për një opozitë si kjo jona. Ka njerëz që e njohin mirë fizionominë e opozitës sonë, si edhe mendësinë e saj të prejardhur nga diktatura, që mendojnë se, sikur të ishte i mundshëm rikthimi mbrapsht i një filmi tragjik dhe në pikën kritike të mundej të zhdukej ai shpërthimi i Gërdecit, kjo farë opozite nuk do ta dëshironte këtë version të hamendësuar. Natyrisht kjo është një metaforë surrealiste. Veçse këta njerëz të skajshëm, në supozime të tilla, kanë ngritur edhe variantin shpjegues: a thua se E.H.-a nuk e dinte se nuk mund të ishte tradhtare e gjithë ajka e ushtrisë Nacionalçlirimtare, që u asgjësua për tradhti të lartë? Përveç Stalinit, askush nuk arriti gjer në ekstreme të tilla. As Hitleri, që ishte terrorist, veç në kuptimin racor, jo kundër bashkëpunëtorëve të vet. Pra, Enveri édhe me ekzekutimet e një së dhjetës së elitës së vet ushtarake, mund të krijonte bindje se froni i tij sundues do të ishte i sigurt. Por ai donte siguri absolute! E bash për hir të këtij absolutizmi në marrjen e pushtetit, kjo propagandë çnjerëzore, gjer në akuzat e saj për kriminalitet të paqenë, ishte dobiprurëse. Është një mendësi sipas së cilës mund të gjykohet se njeriu nuk vlen asfare, vetëm e vetëm të arrihet qëllimi (zhvatja e pushtetit). Mbase as autorit të „Princit“, Makiavelit, një gjë e tillë nuk do t’i kishte shkuar ndër mend!
...