Obama dhe Ballkani
Amerikanët i dhanë një leksion të ri njerëzimit me zgjedhjen e Barack Obama-s në krye të Shtëpisë së Bardhë. Duke treguar se, kur është në pyetje e ardhmja, nuk ka rëndësi ngjyra, raca, apo prejardhja e njeriut që i drejton, por frymëzimi dhe aftësia për të ngjallur shpresë. E reja që, padrejtësisht, po identifikohet me ngjyrën e Obamës, është në thelb reagimi i fuqishëm qytetar kundër aristokracisë së kalbur amerikane, e cila ishte shkëputur nga masa e madhe e qytetarëve të vendit. Obama nuk ishte një katapultim i menjëhershëm, i një përfaqësuesi me ngjyrë, në majë të politikës botërore. Një gjysmë shekulli është i mjaftueshëm për një shoqëri të zhvilluar, për të kapërcyer paragjykimet njerëzore. Një vend që kish prodhuar figura të rëndësishme politike, me ngjyrë, deri ish-sekretarë shteti apo mbrojtjeje, këshilltarë, senatorë, artistë, shkrimtarë dhe sportistë të mëdhenj, të adhuruar prej publikut mbarëbotëror, patjetër që, një ditë, do të prodhonte edhe president të tillë. Pyetja që është shtruar në të gjitha tavolinat e diskutimit politik shqipfolës ka qenë nëse do të ndryshojë, apo jo, politika e administratës së re në Ballkan e posaçërisht në Kosovë? Përgjigja ka qenë standarde: “Jo”, me argumetin se politka amerikane nuk ndryshon sa herë ndryshon administrata në Shtëpinë e Bardhë. Përkundër këty re gjykimeve, vetë Obama i saposhpallur fitues, me fjalë të thjeshta, tha se “Ndryshimi erdhi në Amerikë”. Po të mendojmë se politika në rajonin tonë do të jetë po ajo, duhet të besojmë se Obama ia paska futur kot. Po ashtu amerikanët ia paskan futur kot me zgjedhjen e tij si përfaqësues i ndryshimit. Kur flasim për ndryshim nuk kemi parasysh përmbysje. Ndryshimi presupozon nivelin e investimit, në rend të parë atij politik. Nivel që është gjithmonë i ndryshueshëm, varësisht nga individët që i përfaqësojnë politikat me rëndësi. Në këtë kuptim, rajoni ynë nuk mund t’i shpëtojë një analize të re nga ana e politikës amerikane. Gjë që mund të ndodhte edhe në rast të fitores së McCain-it. Ndryshimi i pritur prej Obamës nuk duhet kuptuar vetëm në planin e brendshëm. Më së paku duhet kuptuar aty. Që do të thotë se, pjesë e këtij ndryshimi do të jenë të gjitha politikat në rajonet që, në një mënyrë ose në një tjetër, janë nën influencën amerikane. Sado të ngjashme të jenë dy administrata, sado amerikane të jenë ato (në kuptimin e një politike brilante), prapëseprapë, ka diferenca në qëndrimet e tyre për çështje të veçanta. Që politika amerikane në Ballkanin Perëndimor do të ketë ndryshime, krahasuar me atë të kohës së Presidentit G. W. Bush, kjo nuk diskutohet. Siç nuk diskutohet fakti që nuk do të ketë përmbysje. Ne, shqiptarëve, na intereson të dimë se cili do të jetë qëndrimi amerikan ndaj zhvillimeve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, e sigur- isht edhe ndaj atyre në Serbi, e Bosnjë–Hercegovinë, të cilat janë të lidhura më njëra-tjetrën. Prezantimi i parë i Obamës nuk ishte fort i këndshëm për shqiptarët. Kur ai përmendi “vuajtjet e popullit serb” solli huti në botën shqiptare, ndërsa ngushëllimi mbeti tek përzgjedhja e senatorit Joe Biden për zëvendëspresident (një përkrahës i Kosovës ky). Por, “vuajtjet e popullit serb” mbaruan shpejt. Obama do ta korigjonte qëndrimin duke kuptuar se jo vetëm komuniteti serb mund t’i prishte, apo rregullonte punë gjatë fushatës. “Kosova” ishte demarkacioni që ndante mbështetjen, ose jo, të shqiptarëve për Obamën. Më pas vinin simpatitë dhe ndarjet ideologjike, ku të majtët mbështesnin Obamën, ndërsa të djathtët McCain-in. Të paktën kështu ndodhte në Shqipëri, në qendrën më të madhe politikëbërëse të shqiptarëve. Kur flitet për Kosovën është e pamjaftueshme të thuhet se administrata e Obamës nuk pritet të adaptojë ndonjë qëndrim ndryshe, lidhur me pavarësinë e saj. Do të ishte naivitet të mendohej kthimi prapa. Por ekziston shqetësimi lidhur me një varg çështjesh specifike të pazgjidhura që kanë të bëjnë pikërisht me të ardhmen e këtij shteti. A do të jetë SHBA-ja prezente fuqishëm, duke ruajtur nivelin e influencës në këtë rajon njëlloj si administrata e mëparshme? A do ta reduktojë Obama numrin e trupave amerikane në Kosovë? Cili do jetë qëndrimi lidhur me unicitetin e Kosovës etj.? Administrata e Bill Clinton-it, edhe pse ndërhyri ushtarakisht në Kosovë, mbështeste autonomi substanciale dhe jo pavarësi për Kosovën. Nuk jemi të sigurtë nëse kjo administratë, po të kish qenë në pushtet, do ta kishte njohur apo jo pavarësinë e Kosovës. Edhe pse në radhët e demokratëve ka pasur mbështetës të flaktë të pavarësisë si, Richard Holbrooke e të tjerë. Në vitin 1998, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, do t’i thoshte Ibrahim Rugovës, në një takim në Waschington, “ne nuk mund ta mbështesim pavarësinë, por do të bëjmë çmos për ta ndihmuar Kosovën për të fituar autonominë dhe sigurinë…”, duke shpjeguar se mungesa e gatishmërisë për të miratuar pavarësinë nuk lidhej aq me parimet se sa me vlerësimet praktike në terren (Libri i M. Albright “Zonja Sekretare”, Autobiografi dhe kujtime fq 449). Mbështetja amerikane për pavarësinë e Kosovës erdhi gradualisht duke u pjekur dhe u vendos përfundimisht gjatë administratës së presidentit G. W. Bush. Rrethanat gjeopolitike dhe njëjtësia e interesave shqiptare, me ato të SHBA-së në rajon, e favorizuan këtë opsion. Për fjalën e mbajtur, lidhur me Kosovën, Presidenti Bush mbetet një nga miqtë më të mëdhenj të shqiptarëve. Siç mbetet paraardhësi i tij Bill Clinton për ndërhyrjen ushtarake. Obama do të jetë i treti dhe i vërteti. Gjatë administratës së tij pritet të vendoset përfundimisht konfiguracioni dhe orientimi i Ballkanit Përëndimor. Jashtë çdo euforie shqiptarët duhet të dinë edhe më tej të jenë të vëmendshëm.