E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbrazja e re e Kosovës

SITUATA NË KOSOVË

Qeveria e Kosovës po kërkon njohje për Kosovën. Qeveria e Serbisë po kërkon territor. Kosova është fushëbeteja, në të cilën e për të cilën vazhdojnë të bëjnë gara Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Serbisë, më shumë se 8 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, thuajse ajo nuk u shpall fare.

Asimetria nuk përfundon këtu. Kundërshtimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe angazhimi i saj diplomatik në këtë aspekt, po i ndihmon Qeverisë së Kosovës që, njohjen e mëtutjeshme të pavarësisë, ta mbajë prioritet. Ama, edhe Qeveria e Kosovës po e ndihmon atë të Serbisë. Përderisa Qeveria e Serbisë e kundërshton dhe e pengon Kosovën në kërkimin e njohjeve të reja, Qeveria e Kosovës ia lehtëson punën Serbisë për apetitet territoriale të saj. Qeveria e Kosovës nuk çan kokën për kufijtë e Kosovës, nuk e kundërshton decentralizimin dhe, për më keq, është zotuar se do ta zbatojë atë. Komuna të reja serbe parashihet të instalohen para se të mbahen zgjedhjet e reja. Në masë të madhe, decentralizimi vetëm sa do ta formalizojë dhe legalizojë gjendjen ekzistuese ku çerekun e territorit të Kosovës e kontrollojnë strukturat paralele të Serbisë.

Plani i Ahtisaarit që ndodhet brenda në Kushtetutën e Kosovës, por edhe sipër saj, nuk e parasheh decentralizimin e qytetit të Prishtinës. Afër gjysmë milioni banorë do të vazhdojnë ta kenë një zyrë. Popullata e Parteshit, me më pak se 1% banorë krahasuar me Prishtinën, do të bëhet me komunë të veçantë. Prishtina ka shumë banorë e pak territor, dhe nuk është menduar decentralizimi për të. Vetëm atje ku ka pak banorë (serbë, natyrisht) dhe shumë territor do të ketë decentralizim dhe komuna të reja. Komunat janë njësi administrative dhe territoriale. Decentralizimi, ashtu siç është menduar në Kosovë, nuk e ka në fokus njeriun (dhe nevojat e tij për shërbime më të mira publike), por territorin (dhe politikën që e pretendon atë). Komunat e këtij lloji të decentralizimit e vendosin shumë më lart aspektin territorial (gjithnjë mbi baza etnike) të komunave sesa atë administrativ. Nuk do të decentralizohen zonat urbane, nuk do të decentralizohen qytetet ku ka shumë banorë (me përjashtim të veriut të Mitrovicës, meqë është i banuar me serbë, natyrisht), por do të decentralizohen vetëm zonat rurale me shumë territor (nëse ato janë të banuara me serbë, natyrisht).

Situatën e bën edhe më të rëndë fakti se zonat kufitare të Kosovës kanë gjithnjë e më pak banorë. Gollaku, Shala e Bajgora, Bjeshkët e Rugovës etj., janë çdo herë e më të zbrazura nga njerëzit. Prishtina është dyfishuar, pikërisht për shkak se pjesët e tjera, posaçërisht ato kufitare, janë rralluar ndjeshëm. Zbrazja e dhjetëra fshatrave kufitare, në kohën kur nuk kemi ushtri dhe policinë 'tonë', nuk e kontrollojmë ne, sigurisht se paraqet rrezik të madh për vendin tonë. Xhandarmëria dhe ushtria serbe janë fare pranë kufirit, gjithmonë duke vëzhguar kah Kosova. Në anën tjetër të kufirit të Kosovës janë eventualisht fshatarët e rrallë dhe patrullat, edhe më të rralla, të KFOR-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›