E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin largohet, nëse humb përkrahjen

Gjatë paraqitjes së tij vjetore në televizionin rus, kryeministri Putin tha se “është i kënaqur” me protestat në vend, por edhe se zgjedhjet aq të kritikuara nuk ishin mashtrim.

Gjatë paraqitjes së tij vjetore në televizionin shtetëror, të enjten, gjatë së cilës u përgjigj në pyetjet e qytetarëve, kryeministri rus, Vladimir Putin, deklaroi se është i gatshëm të largohet nga posti po qe se e humb përkrahjen e popullatës, njoftuan agjencitë e lajmeve.

"Mund të them se, po qe se do të ndjejë se kam humbur përkrahjen, nuk do të mbetem më asnjë ditë të vetme në post”, tha Putin, duke shtuar se: “Se nëse ekziston kjo përkrahje, kjo nuk përcaktohet nëpër faqe të caktuara të internetit ose nëpër sheshe qytetesh, por këtë do ta tregojnë rezultatet e zgjedhjeve”.

Kryeministri rus po përballet me pakënaqësi të qytetarëve, të cilët kanë dalë në protesta për shkak të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, të mbajtura më 4 dhjetor, në të cilat fitoi partia e tij, Rusia e Bashkuar.

Putin hodhi poshtë akuzat e opozitës, se partia e tij fitoi falë mashtrimit zgjedhor, duke thënë se rezultatet e zgjedhjeve paraqesin një pasqyrë të qëndrimit të popullit rus.

Ai refuzoi vendosmërisht thirrjet e opozitës për përsëritje të zgjedhjeve, duke akuzuar ata që i organizuan protestat se po punojnë për dobësimin e Rusisë, dhe me kërkesë të Perëndimit.

I kënaqur me protestat

Ndaj protestave masive paszgjedhore Putin reagoi me fjalët:

“I kam parë në televizor, kryesisht njerëzit e rinj dhe njerëzit aktivë të cilët qartazi po shprehin pozicionin e tyre. Jam i kënaqur kur shoh diçka të tillë”.

“Fakti që njerëzit shprehin mendimet e tyre për proceset që po ndodhin në vend, në ekonomi, në sferën shoqërore, në politikë, është absolutisht një dukuri normale, përderisa njerëzit të veprojnë në përputhje me ligjin”, theksoi Putin.

Disa dhjetëra mijëra njerëz kanë demonstruar në Moskë, gjatë protestave që u mbajtën për shkak të fitores së partisë së Putinit, duke u shndërruar kështu në pasqyrimin më të madh të pakënaqësisë nacionale që nga vitet turbulente të 90’a të shekullit të kaluar.

Në fakt, partia e Putin, Rusia e Bashkuar, fitoi në zgjedhjet parlamentare, megjithëse me më pak se gjysmën e votave të fituara, një rezultat ky për të cilin opozita pohon se do të ishte edhe më i dobët po qe se zgjedhjet do të ishin të ndershme dhe të lira.

“Sipas mendimit tim, rezultatet e këtyre zgjedhjeve pa asnjë dilemë shprehin portretin politik të vendit”, nënvizoi Putin, duke vazhduar me atë se: “Fakti që Rusia e Bashkuar ruajti pozitën udhëheqëse gjithsesi që është një rezultat shumë i mirë”.

'Qëndrimi cinik'

Sipas Televizionit Al-Jazeera, Putin madje deklaroi se demonstruesit paraqesin një “rrugë përpara”.

“Mirëpo, ai kritikoi opozitën, duke thënë se revolucionet e ngjyrosura janë një rrugë për destabilizimin e vendit. Këto komente të Putinit tregojnë se çfarë qëndrimi cinik ka ai ndaj protestave”, theksoi korrespodenti i Al-Jazeera’s nga Moska.

Në një përpjekje të qartë për mohimin e akuzave për mashtrim zgjedhor, kryeministri Putin tha se do të urdhërojë instalimin e kamerave nëpër të gjitha vendvotimet në Rusi gjatë zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.

“Kam kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të vendosë ueb-kamera në të 90,000 vendet e votimeve në vend, dhe që t’i publikojë ato xhirime në internet, ashtu që i gjithë vendi të mund t’i shoh”, theksoi Putin.

Zgjedhjet presidenciale

Duke folur për zgjedhjet presidenciale në Rusi, në të cilat Vladimir Putin konkurron si kandidat i partisë së tij, kryeministri aktual rus tha se miliarderi Mikhail Prohorov do të jetë një konkurrent serioz për të.

"Jam i sigurt se ai do të jetë një kundërshtar e dinjitetshëm dhe serioz. Nuk do të them se i dëshiroj sukses, sepse kandidat do të jem edhe vetë”, tha Putin.

Ndryshe, Putin konfirmoi se synon që presidentin aktual rus, Dmitry Medvedev, pas zgjojeve presidenciale të vitit të ardhshëm ta emërojë për kryeministër të Rusisë – mbase i bindur se zgjedhjet presidenciale do ta kthejnë Putinin në postin më të lartë të Rusisë.

Sa i përket Aleksey Koudrin, të cilin presidenti Medvedev e ndërroi nga posti i ministri të financave, në muajin shtator, Putin u shpreh se atij do t’i ofrohet ky post në qeverinë e re.

"Koudrin nuk është larguar asnjëherë nga ekipi im. Ai është një shok i mirë i imi”, tha kryeministri rus.

Mirëpo, Kodrin paraprakisht deklaroi se nuk pajtohet me qëndrimin e Putinit

rreth protestave të javës së kaluar kundër mashtrimit zgjedhor, dhe se ende nuk është i sigurt se cilin kandidat presidencial do ta mbështes – Putinin apo Prohorovin.

"Këtë çështje do ta lë të hapur, sepse do të dëshiroja që Putin të propozojë qasje të reja”, porositi ai.

Në një intervistë të publikuar të hënën, Koudrin u shpreh se është i gatshëm të marrë pjesë në formimin e një partie të re të djathtë në Rusi, sepse vendi ka një nevojë të madhe për të.

Edhe pse ka të atillë që thonë se ai ishte një aleat shumëvjeçar i kryeministrit Putin, Koudrin e mohon këtë gjë, duke nënvizuar se nuk ishte i afërt me të, por se do të vazhdojë ta respektojë, pavarësisht faktit se “nuk pajtohen në çështje të caktuara”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›