Obama diskuton me liderët evropianë gjendjen në Siri

Presidenti amerikan, Barack Obama do të mbajë një video-konferencë me udhëheqësit e Francës, Italisë, Gjermanisë dhe Britanisë të premten vonë, një ditë pas ashpërsimit të politikës amerikane ndaj Sirisë dhe përpara samitit të G8, që mbahet javën e ardhshme, raporton AFP.
Seanca është e fundit në një seri të konsultimeve që Obama ka mbajtur me krerët e aleatëve në prag të samitit në Irlandën e Veriut, që zhvillohet të hënën dhe të martën, ka bërë me dije zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare Ben Rhodes.
Konferenca do të mbahet pasi Shtëpia e Bardhë tha se ka ardhur në përfundim se Siria ka kaluar vijën e kuqe, duke përdorur armë kimike kundër rebelëve.
Si transmeton Rel, në takimin e G8 të javës së ardhshme, Obama do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez, François Hollande, kryeministrin britanik, David Cameron, dhe kryeministrin italian Enrico Letta.
Ai gjithashtu do të zhvillojë një vizitë në Gjermani./Indeksonline./