E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama emeron zyrtaret e rinj

Presidenti amerikan, Barack Obama ka emëruar ish senatorin republikan Chuck Hagel si sekretarin e ardhshëm të mbrojtjes. Obama  e quajti zotin Hagel "udhëheqësin për të cilin kane nevoje  trupat amerikane."  Ai tha gjithashtu se ish senatori nga Nebraska përfaqëson “traditën dypartiake për të cilën ka nevojë Uashingtoni” dhe se ai ka fituar respekt për vullnetin e mirë për të thënë të vërtetën edhe për çështje që nuk kanë shumë mbështetje. 

Disa republikanë të njohur thane 68-vjeçari Hagel mund të përballet me një proces të vështirë konfirmimi në Senat, lidhur me qëndrimet e tij për Izraelin dhe Iranin.
 
Hagel është një veteran i Luftës së Vietnamit dhe e ka kritikuar ndërhyrjen e SHBA në Irak. Ai u largua nga Senati në vitin 2009. 
Nëse konfirmohet,Chuck Hagel do të bëhej sekretari i tretë i mbrojtjes nën Presidentin Obama, pas zotit Robert Gates dhe sekretarit të tanishëm të mbrojtjes, Leon Panetta.

Po ashtu presidenti Obama ka emëruar këshilltarin per anti-terrorizmin John Brennan të drejtojë Agjencinë Qëndrore të Zbulimit. Obama vlerësoi zotin Brennan për drejtimin e përpjekjeve kundër al-Qaidës që kanë sjellë eliminimin nga fusha e betejës të udhëheqësve të organizatës terroriste.
 
Brennan ka një histori të gjatë me CIA-n, ku ai ka shërbyer si shefi i agjencisë në Arabinë Saudite. Senati amerikan duhet ta konfirmojë tani emërimin e tij. Nëse miratohet, ai do të pasojë ish-shefin e CIA-s David Petraeus, i cili dha dorëheqjen në nëntor pasi një hetim federal i zbuloi atij një lidhje jashtëmartesore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›