Obama fiton edhe në Florida

Presidenti amerikan, Barack Obama, fitoi duelin me rivalin republikan Mitt Romney edhe në shtetin e Floridas, duke thelluar akoma më shumë dallimin në rezultatin e përgjithshëm.
Nga numërimi i votave në shtetin e vetëm amerikan që për shkak të rregullave të veçanta ka vonesa në nxjerrjen e rezultatit përfundimtar, Obama siguroi 50 për qind të preferencave elektorale, ndërsa Romney 49.1 për qind.
Vetëm 74 mijë vota i ndajnë të dy kandidatët.
Votat e Kolegjit Zgjedhor andaj shkojnë te Obama, duke i dhënë atij 332 vota elektorale, ndërsa Romney mbetet me 206.
Procesi i ngadaltë i numërimit në këtë shtet u rikujtoi amerikanëve të njëjtin proces në vitin 2000, kur përballë ishin George W. Bush dhe Al Gore. Kandidati republikan, megjithëse mori më pak vota popullore, u shpall fitues. Procesi përfundoi në gjykatë ku demokratët kërkuan rinumërim të votave në Florida, por gjykata rrëzoi pretendimet e tyre.