Obama formon komision për hetimin e rrjedhjes së naftës
Presidenti amerikan Barack Obama ka formuar një komision dypalësh për të hetuar rrjedhën e naftës në Gjirin e Meksikës, si dhe për të bërë rekomandime për raste të ngjashme në të ardhmen. Në fjalimin e tij, Obama kritikoi marrëdhëniet e ngushta mes kompanive të naftës dhe agjencive shtetërore që i mbikqyrin ato dhe tha se agjensitë rregullatore duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar katastrofa të tilla në det. Rrjedha e naftës nga depozita nëndetare ka arritur deri në ujërat e brigjeve të Luizianës. Zyrtarët atje po shqyrtojnë ndërtimin e barrierave me rërë për të parandaluar mbërritjen e naftës në brigje, por ekspertët kanë shprehur dyshime në suksesin e planit. Ndërkohë, zyrtarët e kompanisë BP po përgatiten për të provuar të mbyllin të çarën e depozitës me një lëng shpimi, që bëhet nga përzierja e ujit me minerale sulfati.