Obama i krahason pasojat me ato të 11 shtatorit 2001
Presidenti amerikan, Obama, e ka cilësuar katastrofën e naftës në Gjirin e Meksikës shumë të rëndë dhe që do të ketë të njëjtin ndikim në psikikën e amerikanëve si tragjedia e sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001. Në një intervistë me një media amerikane, ai bëri të ditur se kjo ngjarje, më e rënda ekologjike dhe jo vetëm, do të formëzojë të menduarit tonë për ambientin për vite të tërë. Obama ka planifikuar edhe një tjetër vizitë në zonat e prekura nga pasojat e derdhjes së naftës në Gjirin e Meksikës. E ndërsa deri më tani, asnjë përpjekje për të pakësuar fluksin e rrjedhjes nuk ka dhënë rezultat, drejtorët e kompanisë “British Petroleum” do të mblidhen për të vendosur në lidhje me pezullimin e shpërndarjeve të dividentëve për aksionerët e tyre për shkak të situatës së jashtëzakonshme në të cilën ndodhet kompania dhe financat e saj. Sipas BP, shpenzimet e deritanishme të kompanisë për pastrimin e brigjeve kanë kapur shifrën 1.4 miliardë dollarë dhe ato rriten çdo ditë. Vlerësimet e fundit të shkencëtarëve kanë nxjerrë në dritë se çdo ditë, nga të çarat del një sasi nafte e barabartë me 40 mijë fuçi. Sot, Presidenti amerikan, do të mbajë një fjalim të jashtëzakonshëm përpara kombit me atë që po ndodh në Gjirin e Meksikës dhe gjithë përpjekjet e marra deri më tani nga Shtëpia e Bardhë për të pasur situatën nën kontroll. Sipas një ndihmësi të Presidentit, ai në këtë fjalim do të paraqesë dhe nënvizojë edhe hapat e ardhshëm që do të marrë administrata e tij për të normalizuar sa më shumë që të jetë e mundur situatën. Obama e ka vizituar Luizianën në tre raste. Të hënën ai ka shkuar edhe në shtete të tjera të prekura nga kriza dhe e ka kaluar natën në njërin prej tyre. Ato janë Alabama, Misisipi dhe Florida.
Presidenti amerikan tha se kjo katastrofë do të ketë ndikim jashtëzakonisht të madh edhe në politikën e administratës së tij për sa i përket çështjeve të ambientit. “Këndvështrimi dhe politika e vendit mori një formë të re menjëherë pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington. Në të njëjtën mënyrë që ndodhi ky ndryshim, do të ndryshojë edhe e gjithë politika e deritanishme e Shteteve të Bashkuara për masat që duhen marrë për ruajtjen e ambientit. Dhe kjo, për shumë e shumë vjet”, ka deklaruar Obama para shtypit. Ndërkohë ai u zotua që të çonte përpara me më shumë shpejtësi të gjitha përpjekjet që kanë të bëjnë me orientimin e së ardhmes për sa i përket energjetikës, një orientim vizionar dhe pro ambientit që i ka munguar deri më tani Shteteve të Bashkuara. “Një nga sfidat më të mëdha të lidershipit amerikan dhe të miat është nxjerrja e mësimeve të duhura nga një situatë e tillë”, ka deklaruar Obama. Ai tha se nuk ishte në gjendje që të parashikonte nëse kombi i tij do të arrinte që të bënte një zhvendosje të plotë nga ekonomia e bazuar te nafta, gjatë viteve në vijim, por sipas tij kishte ardhur momenti për të nisur këtë tranzicion dhe zhvendosje dhe për fillimin e investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë. “Ajo çka mund të parashikoj është se burimet e naftës do të vijnë duke u pakësuar në të ardhmen dhe kostot për ambientin do të jenë gjithmonë e më të mëdha, ndaj tani është koha për të ndryshuar”.
#