BE: Koha mbaroi, kriza të zgjidhet menjëherë

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë lëshuar një ultimatum real për krizën shqiptare, duke deklaruar se “është koha e fundit për zgjidhjen”. Këshilli për Punë të Jashtme të BE-së, në mbledhjen e djeshme që drejtohej nga baronesha Catherine Ashton, i mbajtur në Luksemburg, ka miratuar një deklaratë të posaçme për Shqipërinë, ku kërkojnë që qeveria dhe opozita të gjejnë me shpejtësi një zgjidhje për krizën politike në vend. Kjo u kërkua edhe nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Cathernie Ashton, në një deklaratë pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë. “Të gjithë jemi të interesuar të shohim se ç’do të ndodhë me nismën e Daul dhe Schultz.
Ne duam të arrijmë në një zgjidhje, sa më parë. Duam që Shqipëria të jetë në rrugën e BE”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE, duke qenë në një linjë diplomatike me deklaratën e përbashkët të ministrave europian. Por deklarata e kryediplomatëve të BE-së në mënyrë edhe më të qartë thekson se “është limiti i fundit kohor për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale, në një bazë që do t’i qëndrojë testit të kohës”. Po kështu Këshilli thekson se kërkesa e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE do të shqyrtohet edhe sipas kriterit politik. Në lidhje me çështjen e vizave Këshilli i Ministrave vendosi që pas përmbushjes së kritereve nga ana e Shqipërisë, secili nga vendet anëtare të BE-së do të japin veton përfundimtare.
ShqipëriaKëshilli vazhdon të jetë i shqetësuar në lidhje me situatën politike në Shqipëri të krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Ai vlerëson kthimin e opozitës në Parlament, si pasojë e iniciativës lehtësuese të marrë nga krerët e grupeve parlamentare të PE-së, Daul dhe Schultz, në emër të grupeve politike që përfaqësojnë dhe me mbështetjen e komisionerit për Zgjerim, Fule.
është limiti i fundit kohor për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale, në një bazë që do t’i qëndrojë testit të kohës. Megjithatë Këshilli shpreh keqardhjen, që nisma lehtësuese e ndërmarrë nuk ka gjetur ende mbështetjen e duhur për të mundësuar që qeveria e Shqipërisë dhe opozita të tejkalojnë diferencat e tyre. Këshilli përsërit që është përgjegjësi e qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur me shpejtësi, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës zgjidhje dhe mënyra të cilat do të kërkohen për ta çuar vendin drejt rrugës së Bashkimit Europian.
Këshilli inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në mënyrë aktive reformat e nevojshme për të implementuar në mënyrë të butë dhe të shpejtë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, duke marrë parasysh prioritetet evuopiane dhe përsërit mbështetjen për perspektivën europiane për Shqipërinë. Këshilli kujton se aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE i pranuar në prill të 2009-s, do të vlerësohet në përputhje me parimet e përcaktuara në Traktatin e BE-së dhe kriteret e përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagës në 1993, dhe po kështu nga konkluzionet e dhjetorit të vitit 2006 të Këshillit Europian në konsensusin e rinovuar për zgjerimin. Këshilli ka rënë dakord që ta shqyrtojë këtë çështje kur komisioni të ketë paraqitur opinionin e tij.
VizatKëshilli, duke kujtuar konkluzionet e mëparshme, sipas të cilave BE mbështet fuqimisht heqjen e regjimit të vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe deklaratën e përbashkët e PE-së dhe Këshillit të 30 nëntorit 2009, mirëpret progresin e arritur nga Shqipëria dhe Bosnja në arritjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe thekson në kërkesën e Komisionit në 27 maj 2010 për PE-në dhe vendimin e Këshillit për të amenduar Rregulloren 539/2001, ashtu siç aplikohet për shtetet anëtare. Këshilli dhe PE do të marrin një vendim sapo komisioni të vlerësojë se të gjitha standardet e pazgjidhura të jenë përmbushur. Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE, Franca ka bindur vendet anëtare që të ndryshojnë qëndrimin për sa i përket procesit të vizave. Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner, ka bërë që deklarata e ministrave të ndryshojë, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë dhe Bosnjës. “Nuk kemi marrë tamam një vendim për vizat. Por nëse një ditë propozimi do të vijë, ne do të marrim një vendim për hapjen, siç kemi bërë me Serbinë”, ka deklaruar Kouchner.
#