E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyshja e Bleonës: E gënjyen me manaferra për ta çuar në mal

Familja beson te gjetja. Babai: Ka një shenjë djegieje në qafë, nuk ia ndryshojnë dot pamjen

Në javën e katërt të kërkimeve për gjetjen e Bleonës së vogël 6-vjeçare, ende nuk ka asnjë rezultat konkret. Saide Mata, gjyshja e Bleonës, thotë se atë ditë vajzat e rritura kanë kërkuar ta marrin me vete dhe se Bleona as që kishte ndërmend të shkonte pas tyre. “Pasi kanë dalë vajzat e rritura me bagëti, ka ardhur një vajzë dhe e ka marrë, duke i thënë se do të mblidhnin manaferra. Vajza e vogël ka qenë me fëmijë të tjerë te fusha dhe e kanë çuar në mal”, thotë gjyshja. Edhe Zamiri, babai Bleonës thotë se marrja me vete në mal e Bleonës nga e motra dhe shoqet e saj nuk ishte një sjellje shumë normale. “Si të merret një vajzë e vogël vetëm 6 vjeçe në mal me bagëti?”, bën pyetjen torturuese babai i Bleonës. Duke besuar në pistën që Bleona duhet të jetë rrëmbyer për qëllime trafikimi, babai i vajzës beson se keqbërësve po u ngushtohet çdo ditë mundësia për ta nxjerrë jashtë shtetit. “Ata mund t’i presin flokët, ta lyejnë, mund ta veshin si të duan, por lëkurën nuk ia ndryshojnë dot. Në qafë, në anën e djathtë, vajza ka pasur një shenjë nga djegia në stufën e zjarrit gjatë dimrit dhe besoj se ajo shenjë mund edhe ta shpëtojë atë”, thotë i ati duke sqaruar se fotografia e shpërndarë është bërë një javë para se të humbte. “Do ta bënim operacion pas dy ditësh që humbi, një operacion plastik në qafë pak nën mjekër, prandaj e fotografuam” thotë Zamiri, duke shtuar se ato ditë po bënin gati dokumentet për të udhëtuar në Tiranë për operacionin plastik.

Policia kërkoi rreth 20 ditë nëpër bjeshkë, por ndërkohë është tërhequr. Tashmë pista kryesore e hetimeve mbetet rrëmbimi nga persona ende të panjohur dhe për të po heton një grup ekspertësh të Krimeve të Rënda në Tiranë. Familjarët asnjëherë nuk kanë besuar se vajza e tyre humbi aksidentalisht, të paktën që të nesërmen prindërit, kanë thënë se ajo duhet të jetë rrëmbyer.

Orientimi i hetimeve, fuqishëm në pistën e rrëmbimit ka ngjallur shpresën tek familjarët se vajza e tyre mund të gjendet. Gjatë një bisede me telefon, Zenel Mata, gjyshi i Bleonës pohon se i qëndron bindjes se vajza është rrëmbyer, për qëllime, që siç tha, nuk mund t’i parashikonte me saktësi. “Mund ta kenë marrë për shfrytëzim organesh, mund ta kenë marrë për birësim, një Zot e di se përse, por mendoj se për shfrytëzim organesh nuk kanë për t’ia arritur pas sensibilizimit që është bërë”, tha Zeneli, duke nënvizuar se përveç policisë shqiptare dhe Interpolit, një rol të madh ka luajtur media dhe se tashmë fotografinë e Bleonës e njohin në gjithë botën. “Edhe për vajzat e rritura që kanë qenë atë ditë me Bleonën nuk vë “duart në zjarr”, por organet kompetente duhet të bëjnë punën e tyre dhe nëse duhet edhe sakrifica le të bëhen për të vërtetën”, tha ai lidhur me marrjen në pyetje të së bijës, Alketës, dhe një shoqeje të saj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai tha se të dyja vajzat ishin lëshuar, por besonte në vazhdimin e hetimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›