E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama i shqetësuar nga shpërblimet e AIG-së

Uashington - Presidenti amerikan Barak Obama ka reaguar ashpër ndaj shpërblimeve që kompania AIG ka dhuruar për punonjësit e saj në një kohë që vetë qeveria amerikane ka akorduar plot 180 miliardë dollarë ndihmë për ta nxjerrë atë nga kriza. Presidenti Obama tha se firma AIG, hyri në vështirësi financiare për shkak të “papërgjegjshmërisë dhe pangopësisë”. Duke folur dje në Shtëpinë e Bardhë, ai tha se është vështirë të justifikohet ky skandal para taksapaguesve, të cilët po e mbajnë gjallë këtë kompani. Ai deklaroi se do të përdorë çdo formë ligjore për të bllokuar pagimin e shpërblimeve. Më pas, Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se do të bëjë kërkesë ligjore që kompania të dorëzojë informacionin për shpërblimet e dhëna ekzekutivëve.

Zoti Cuomo i bëri komentet pasi firma AIG nuk e respektoi afatin për të dhënë hollësi rreth shpërblimeve. Një zëdhënëse e kompanisë tha se kompania është në kontakt me Prokurorin e Përgjithshëm dhe do t’i përgjigjet kërkesës së tij.

Obama i ka kërkuar Sekretarit të tij të Thesarit, Timothy Geithner, të marrë të gjitha masat ligjore për ta bllokuar pagimin e shpërblimeve. Ndërkohë që kompania mbron idenë se nuk ka patur rrugë tjetër, por t'i paguante shpërblimet sepse pagesa e tyre ishte e detyrueshme me ligj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›