E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama konfirmon sulmet e fshehta në Pakistan

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka konfirmuar se aeroplanët pa pilot kanë sulmuar rregullisht zonat fisnore në Pakistan.

Obama i quajti sulmet si “sulme të fokusuara te njerëzit që janë në listën e terroristëve aktive".

Shtetet e Bashkuara zakonisht nuk flasin publikisht për operacionet e këtij lloji.

Obama i bëri komentet e tij në daljen një orëshe në rrjetin social, Google +, e cila gjithashtu u transmetua drejtpërdrejt në YouTube.

Më shumë se 130 mijë pyetje ishin paraqitur para se ky takim në rrjet të fillonte, ndërsa gjashtë persona ishin të ftuar për t'iu bashkuar në internet presidentit. Ata kishin të drejtë të bënin pyetje dhe të ndiqnin përgjigjet nga Obama.

Obama foli edhe për ekonominë, me ç’rast tha se ekonomia amerikane duket se po rimëkëmbet.

“Ne po fillojmë të shohim disa shenja se ekonomia po e merr veten. Kemi krijuar 3 milionë vende pune në 22 muajt e kaluar dhe kemi parë rritjen më të madhe në prodhimtari, që nga të nëntëdhjetat, por mbetet edhe shumë për t’u bërë”, ka thënë Obama.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›