E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orientimi sipas Mustafës

Lidhja Demokratike e Kosovës miratoi Orientimet Programore dhe Projektstatutin e saj. Udhëheqësit e kësaj partie i larguan gazetarët nga salla kur filloi debati. Berim Ramosaj thotë së i revoltuar me propozimet ka lëshuar sallën e mbledhjes ndërsa pohon se ka pasur kundërshtime edhe nga ish-presidenti Sejdiu për të njëjtat çështje. Në fund, u tha se vetëm dy anëtarëve nuk u pëlqyen ndryshimet e bëra nga Isa Mustafa. Njëri abstenoi, e tjetri votoi kundër. E burime të Express thonë se nuk kanë votuar të gjithë anëtarët e tjerë, sic pretendohet.

I mbyllën dyert për media kur hynë në mbledhje. Ndërkaq pas katër orëve dolën me një komunikatë për media se gjithçka ka shkuar në rregull.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas një debati katër orësh në një hotel të Prishtinës, ka miratuar Orientimin dhe Projektstatutin e ri.

Madje, përmes një komunikate për media, zyrtarët e kësaj partie e kanë cilësuar si progresiv miratimin e statutit.

Por, kjo nuk pohohet nga disa anëtarë të LDK’së.

Berim Ramosaj tha për Express se për shkak të pakënaqësisë së tij në lidhje me propozimet e bëra ka lëshuar sallën menjëherë pasi kishte përfunduar diskutimin, të cilin e kishte nisur i pari.

“Ju kam thënë se krejt jetën time kam luftuar për ndërtimin e lirisë së shprehjes, ndërsa këta të cilët e kanë propozuar këtë statut kanë punu për kufizimin e saj. Pra këtu kemi të bëjmë me dy shkolla të ndryshme andaj nuk mund të pajtohem me ta”, ka thënë i mllefosur Ramosaj.

A madje tha se në mbledhjen e së hënës nuk iu janë prezantuar as dokumentet të cilat kanë dalë në votim.

“Jo, nuk na i kanë prezantu fare, si mundem me votu për dicka kur nuk e di se cka përmban, kur nuk e kam para vetes atë dokument”, shtoi Ramosaj. E menjëherë pas tij pakënaqësitë dhe revoltën e kishin shprehur edhe ish-Presidenti Sejdiu si dhe Esat Brajshori.

“Sejdiu e Brajshori e disa të tjerë kanë pasuar pas meje në diskutim dhe të gjithë jemi shfaqur kundër neneve që cenojnë të drejtat e anëtarëve të partisë si dhe rrisin kompetencat e Kryetarit, kjo është e papranueshme”, ka thënë Ramosaj.

Pavarësisht polemikave të ashpra, zyrtarët e LDK’së nuk e kishin përmendur asnjërën nga këto në njoftimin që e kishin lëshuar për mediat, të cilave iu ndaluar hyrja në sallën e mbledhjes.

“Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e tij të pestë, miratoi Orientimet Programore dhe Projektstatutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës me Ndryshime dhe Plotësime”, thuhet në komunikatë.

Ndër të tjera, theksohet se LDK’ja konsideron se dokumentet e miratuara janë pjesë e procesit të reformimit të brendshëm të saj.

“U miratuan pas debatit në terren, me përfaqësues të degëve, nëndegëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK’së. Këshilli, po ashtu, i ka dhënë përkrahje të plotë vazhdimit të reformave në parti”, kanë bërë të ditur zyrtarët për informim të kësaj partie.

Edhe anëtari i LDK’së, Lutfi Haziri mohoi të ketë pasur kundërshtime për statutin e ri në mbledhjen e së hënës.

Madje, e cilësoi si progres miratimin e Programit dhe Projektstatutit të ri, pavarësisht se pohoi se ka pasur disa vërejtje për çështje të caktuara.

“Kemi pasur një debat mjaft të mirë, afër katër orë dhe aty kemi diskutuar edhe për statutin e ri edhe për orientimet programore dhe në fund është miratuar me konsensus”, ka thënë Haziri për Express.

Ai tha se i mbetet Kryesisë së Përgjithshme që t’i përfshijë edhe propozimet që janë shprehur gjatë debatit.

“Në përgjithësi ka pasur propozime ide, iniciativa tash mbetet që Kryesia e Grupit punues t’i analizojë dhe përfshijë në statutin e ri”, ka thënë ai.

“Është një proces i pritur për më shumë se tri vjet dhe tash debati i rrafshit lokal ka kaluar në nivel qendror dhe po bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, shtoi Haziri.

Por, kjo nuk u pohua Ramosaj. Për më tepër, në njoftimin për media thuhet se 80 anëtarë të partisë kanë qenë të pranishëm në mbledhje, prej të cilëvë vetëm një ka votuar kundër statutit e një tjetër ka abstenuar.

Burime të Express’it brenda LDK’së ndërkaq kanë bërë të ditur se në sallë as që kanë qenë të pranishëm 80 anëtarë e lëre më të votojnë.

“Nuk kanë qenë të pranishëm 80 anëtarët sic pretendohet. Nuk e di sa ka e kanë nxjerrë atë shifër. Ka pas shumë kundërshtime s’di ka doli që vetëm një paska votu kundër”, tha burimi.

Edhe më herët, zyrtarë të LDK’së, ishin shprehur kundër propozimeve të Kryetarit aktual të kësaj partie, Isa Mustafa.

Sipas tyre, Mustafa përmes tyre, ka shprehur tendencat për t’ia rritur vetes kompetencat.

Haxhi Kamberi nga kjo parti është njëri prej atyre që kishte refuzuar të votonte pro miratimit të Statutit të ri.

“Kam pasur rezervat e mia. Kam shprehur pikëpamjet e mia dhe vërejtjet i kam paraqitur në Këshillin e Përgjithshëm, së bashku me propozimet alternative”, ka thënë Kamberi, për Express.

Vërejtje në lidhje me disa nene patën dhënë edhe disa zyrtarë të partisë, të pakënaqur me propozimet për Statutin e ri të partisë.

Ata madje kishin bërë një krahasim ndërmjet statutit të propozuar nga Kryesia e Isa Mustafës dhe atij të partisë të Boris Tadicit, duke gjetur pjesë të njëjta.

“Këtu shquhen posaçërisht nenet 8, 13, 15, 17, 19 dhe 26 e 51 të cilat rregullojnë kryesisht të drejtat dhe përgjegjësit e anëtarit të LDK’së, përgjegjësit e Kryetarit si dhe definojnë listën e rregulloreve të punës që duhet të nxjerrin organet e partisë”, thuhet në krahasimin e bërë nga dy statutet, e i cili u publikua në media.

Kamberi konfirmoi për Express se ka pasur debat dhe vërejtje të caktuara për pikërisht këto nene edhe gjatë mbledhjes së djeshme.

“Edhe ato nene do të përmirësohen, të paktën ashtu kemi marrë zotimin. Mendoj që ato nene janë duke u ndryshuar në periudha të caktuara dhe mendoj se produkti përfundimtar nuk do t’i ketë ato më”, tha Kamberi. Ndërsa, pohoi se në rast të mosndryshimit të tyre, rrezikohet demokracia e brendshme e LDK’së, ngase kufizohet liria e shprehjes së anëtarëve të saj.

E, si duket, deklaratat në opinion kanë ndikuar që udhëheqësia e LDK’së t’i marrë më me seriozitet vërejtjet e anëtarëve të saj.

Kamberi thotë se kanë marrë zotimin për ndryshimin e këtyre neneve gjatë mbledhjes, të hënën.

“Nuk është çështje e kryeneçësisë, por është çështje e programit dhe të mirës së LDK’së, e në mbledhje u pa që kjo parti ka vlera të brendshme demokratike me orientim në të djathtë. Ka disa që ende kanë mendim me mentalitet të vjetër në pikëpamjet e qëndrimet e tyre, mirëpo mendoj që edhe ata duhet të lirohen nga mentaliteti i vjetër dhe t’u hapen rrugë vizioneve të reja”, ka thënë Kamberi.

Ai u shpreh i bindur se Statuti i ri i partisë së tij do të fuqizojë atë duke ia hapur rrugët kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Fjalimi i plotë i Fatmir Sejdiut mbajtur në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të LDK-së

Anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas një debati katër orësh, të mbyllur për media, edhe arritën të miratojnë orientimet programore dhe projektstatutin me ndryshime dhe plotësime. Përmes një komunikate për media, zyrtarët e kësaj partie pohuan se gjithçka ka shkuar në rregull. Mirëpo, në këtë mbledhje kishte pakënaqësi dhe vërejtje. Ish- presidenti Fatmir Sejdiu ka mbajtur një fjalim të gjatë për gjithë procesin, ndërsa ka vlerësuar se tendenca e sforcimit të logjikës sanksionuese e fut LDK-në në një proces me pasoja.

Ky është fjalimi i Fatmir Sejdiut mbajtur në mbledhjen e 30 janarit të Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Vërejtje parimore dhe të përgjithshme

1.

Mënyra e diskutimit publik për Projektpropozimin për plotësimin dhe ndryshimin e Statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk është bërë në formën më të mirë.

Miratimi i të gjitha ndryshimeve dhe plotësimeve të deritashme të Statutit të LDK -së (ua kujtoj se unë kam punuar në të gjitha proceset e deritashme), gjithmonë është bërë mbas një diskutimi në bazë, nëpër degë, nëndegë dhe aktive, duke kërkuar lirshëm prej tyre që të paraqesin vërejtjet apo kërkesat eventuale që i kanë dhe t’i përcillen Kryesisë së LDK-së, përkatësisht Komisionit të autorizuar dhe jo nëpër qendra rajonale, me anëtarë të kryesive, sic ka ndodhur me këtë propozim-statut të fundit.

Statuti bëhet për të gjithë anëtarët e LDK-së dhe jo vetëm për anëtarë të kryesive të degëve.

Prandaj, nuk është i qëndrueshëm konstatimi i dëgjuar këto ditë ”se kjo është hera e parë që Statuti i Partisë debatohet në një diskutim të gjerë publik me anëtarësinë”. Kjo nënkupton se për 20 vjet te tjera të LDK-së, nuk paska funksionuar demokracia në LDK. Në fakt, kjo mënyrë e punës e ngulfatë demokracinë dhe veprimin e lirshëm demokratik mbi bazë të mendimit dhe fjalës së lirë.

2.

Asnjëherë dhe në asnjë kohë deri tani nuk është përdorur një metodologji e tillë e shtrimit të tekstit të plotësimeve dhe ndryshimeve të Statutit të LDK-së dhe kjo mënyrë/metodologji as që është e preferuar të përdoret as në praktikat e plotësimeve dhe ndryshimeve në legjislacionin bashkëkohës, pra edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtë fundja e dijnë edhe shumë anëtarë të Këshillit të përgjithshëm që janë, apo kanë qenë deputetë gjer tani.

Është vështirë dhe gati e pamundshme që në këtë mënyrë sic janë ofruar propozimet e reja, sic thuhet ”plotësime dhe ndyshime”, të dihet se cilat janë plotësimet dhe cilat janë ndryshimet, cila është përmbajtja e Statutit të deritashëm, cka fshihet dhe cka mbetet prej tij. Pra mungon teksti i Statutit në fuqi, mungojnë qoftë edhe të nënvizuara në kursiv apo shenjëzim tjetër propozimet e reja, mungon evidencimi i shenjëzuar i ndryshimeve të reja, mungon evidencimi i tekstit të fshirë dhe që deri tani është në fuqi.

Kështu sic është ofruar, në një tekst unik, pa asnjë vërejtje, apo shenjëzim përcjellës, nënkupton se është një tekst i ri, i cili humb origjinalitetin e vet.

Unë mendoj se kështu sic është përmbledhur edhe pas vërejtjeve të dhëna në versioinin e parë, apo të dytë, që esencialisht nuk ndryshojnë në versionin e tanishëm, ky dokument nuk është i plotë për t’u debatuar e aq më pak për t’u miratuar si propozim i Këshillit të Përgjithshëm për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e LDK-së.

Për më tepër, për cka do të flas më vonë, hartimi i një dokumenti të tillë, me pretendime që të jetë Statut bashkëkohës i një partie politike sic është LDK-ja, duhet të jetë i derivuar nga esenca e filozofisë dhe identitetit politik që e ka kjo parti, filozofi kjo që është e koncipuar dhe koncipohet në vazhdimësi në Programin e saj Politik. Ky program, qoftë edhe si i plotësuar në tërësinë e tij, duhet të jetë rezultat i një procesi të thellë të debatit politik. Prandaj, me një dokument të tillë që si synim politik i përgjigjet sfidave të kohës, pason shkrirja në normë juridike, pra në Statutin e LDK-së.

3.

Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi ishte parti, e cila funksionoi mbi parimin e demokracisë së brendshme; ishte bashkim i vullnetshëm i qytetarëve të lirë, që respektojnë dhe realizojnë përgjegjësi të përbashkëta, shprehin lirisht idetë dhe pikëpamjet e tyre në forume dhe jashtë saj, dhe po kështu funksionin demokratik e mbështesin në përgjegjësinë individuale.

Kjo përgjegjësi, është konsideruar prore, një burim i fuqishëm i zhvillimit të LDK-së, mbasi anëtarët e saj nuk kanë pasur frikë se do të përjashtohen nëse e thonë edhe atë që, në fakt, nuk ishte kornizuar si sanksion në statutin e saj.

Në modelet e traditës shumë të suksesshme mbi 20 vjecare të LDK-së, ruajtja e kohezionit në situata shumë të vështira nuk është bërë me dënime, por duke respektuar dhe pranuar mendimin ndryshe.

Po të kishim dënuar anëtarët tanë sepse ata në një moment a në tjetrin mendojnë a veprojnë ndryshe nga c’kishin vendosur organet e caktuara të LDK-së në këtë sallë sot mbase nuk do të mbetej thuajse asnjë njeri.

Paralelisht me këtë, po të shikoheshin nënskamcat, fyerjet, denigrimet dhe pengesat dhe bllokadat që i janë bërë LDK–së në situata shumë të ndjeshme edhe për të gjallë të Presidentit Rugova, shumëkush ishte dashur moti të përjashtohej nga LDK-ja, apo shumëkujt nuk do të ishte dashur t’i jipej shansa për anëtarësim në LDK.

Përjashtimi i anëtarit nga LDK, do të hapte rrugë për një voluntarizëm, konflikte dhe deformime të thella në procedura dhe vendimarrje.

Do ta shndërronte LDK-në në institucion autoritar dhe sanksionues.

Pra, është e nevojshme të ruajmë respektin për pluralizëm mendimesh, si një vlerë, sepse vetëm kështu do të mund të kemi në LDK personalitete të njohura publike, që mund të jenë më larg me ide dhe kontribute se sa forumet e saj.

Sforcimi i logjikës sanksionuese, në emër të kinse disiplinës e përgjegjëisë, sic është artikuluar sidomos në nenet 13 dhe 14 (edhe ashtu, sic u tha këto ditë, se është marrë model nga Statuti i një partie politike me koncepte politike të kundërta me ato të LDK-së deri tani) LDK-në e fut në një proces problematik dhe sigurisht me pasoja.

Unë kam studiuar në thellësi shumë programe politike dhe shumë statute të partive politike bashkëkohëse, por edhe përgjatë zhvillimit të tyre historik. Kam përcjellur me vëmendje sygjerimet dashamirëse të partnerëve të LDK-së, sidomos NDI dhe Fondacionit Konrad Adenauer, me te cilët kam bashkëpunuar nga afër. Kam parë edhe sygjerimet e tyre që i janë dhënë LDK-së, edhe për këto cështje. Sygjerimet e tyre janë pak më ndryshe. Ato përcillen me vërejtjen që të kihet kujdes.

4.

Unë mendoj se thelbi i reformës nuk qëndorn në vendime sanksionuese, por në reformë substanciale. Ne në Kuvendin e Parafundit (më 2006) i kemi dhanë përkrahje reformës së LDK-së.

Miratimi i propozimit më të rëndësishëm ishte ndërtimi i parimit për zgjedhje brenda LDK-së nëpërmjet procesit ”Një anëtar - një votë”.

Parimi i zgjedhjeve ”Një anëtar- një votë” është parë si shansë për LDK-në mbasi modeli i deritashëm është treguar jofunksional, vecmas në qytete të mëdha ku mosinformimi, jotransparenca, kanë krijuar probleme për t’u përfshirë të gjithë anëtarët e LDK-së në procesin zgjedhor, duke sjellë terren të përshtashëm për fenomene si klanizimi, familjarizmi, dominimi i grupeve të caktuara të interesit dhe duke krijuar rrethana për t’u larguar nga LDK-ja personalitete që do të mund të jipnin shumë në forcimin e fuqizimin e saj. Forma e deritashme e padefinuar qartë e zgjedhjes së strukturave drejtuese të LDK-së në të gjitha nivelet ka përjashtuar lehtë personalitete, mbrapa të cilave nuk ka qëndruar ndonjë klan apo grup provincial, grup biznesi apo interesi. Po kështu, me detyrë ka pasur anëtarë dhe grupe të partive tjera, që kanë provuar në mese të mbyllura të deformojnë procesin zgjedhor.

Prandaj, evidentimi i saktë i anëtarëve në secilën Degë në çdo nivel dhe votimi i tyre për të zgjedhur përfaqësuesit nëpërmjet një votimi me parimin ”Një anëtar - një votë”, e pasuron shumë profilin profesional, intelektual dhe demokratik të LDK-së.

LDK ka nevojë për demokratizim e fuqizim të mëtejmë.

5.

Reforma bëhet duke krijuar një program të ri politik të LDK-së.

Që para tre vjetëve janë bërë dokumentet themelore të reformës dhe këtë e dinë anëtarët e ish-kryesisë së LDK-së, një pjesë e të cilëve janë në kryesi edhe tash. Por, ka pasur probleme për të cuar deri në fund këtë proces të domosdoshëm. Ka pasur një bllokim të reformës, dhe unë e pranoj se nga pozita e presidentit, duke pasur kufizime në drejtimin e LDK-së, nuk kam mundur ta shtyjë deri në fund procesin.

Nuk është bërë thuajse asgjë as në zgjedhjen dhe funksionalizimin e grupeve të ekspertëve, që do të nisnin me këtë punë shumë të ndërlikuar dhe komplekse, e cila do të krijonte një dokument për të ardhmen e LDK-së për së paku dy decenie duke e ndërlidhur të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e një partie të orientimit të qendrës së djathtë.

Kështu ishte edhe vizioni i ekspertëve ndërkombëtarë që ishin angazhuar seriozisht në mbështetje në këtë proces.

Mendoj se bazuar në atë që kemi parë lidhur me grupet e ekspertëve, së voni, ka ende shumë vend për të ardhur në shprehje plotësisht kapacitetet intelektuale dhe profesionale të LDK-së, të cilat duhet të vihen në veprim.

Bërja e Programit dhe Statutit do të duhej të shkonin bashkërisht në të gjitha procedurat, edhe në diskutimin publik me anëtarësinë, gjë që nuk ka ndodhur në këtë rast. Prandaj, mendoj se ky proces duhet rishikuar dhe duhet të punohet më tej që të sigurohemi se ky debat i vërtetë ka ndodhur dhe se ndryshimet do të reflektojnë vërtetë atë që e dëshiron dhe e vlerëson anëtarësia e LDK-së. Prandaj, mendoj se ka vend që të mendojmë që ky Këshill sot të mandatojë një grup të vecantë (apo me ndonjë plotësim të grupit ekzistues) për të ndërtuar një platformë të qartë për të përmbyllur këtë proces dhe për të sjellë para nesh dokumentet përfundimtare, pra Projekt Programin e ri dhe Propozim plotësimet dhe ndryshimet në statut, që ne në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm t’i shqyrtojmë dhe aprovojmë, ashtu sic e kemi mandatin me statutin aktual në fuqi dhe më pastaj të dërgohen për miratim në Kuvend si organi më i lartë i LDK-së që duhet të miratojë përfundimisht këto dokumente. Mendoj se pa sigurimin e këtij stadi nuk mund të flitet për një proces reformimi të mirëfilltë që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe me perspektivë për LDK-në që synon të drejtojë vendin në të ardhmen. Dhe për këtë ne jemi këtu të gjithë; dhe për këtë e kemi mandatin e anëtarësisë së LDK-së.

Disa vërejtje konkrete në propozimet dhe ndryshimet e statutit

1.

Të eliminohen me një shikim të kujdesshëm, të gjitha ngjashmëritë, apo asocimet, që në realitet edhe janë ( shih nenet nga fillimi, në të 13 e 14 dhe në të 52 - edhe ashtu nuk ka nevojë për të,... dhe nuk janë të vetmet këto), me statute të partive të tjera politike, që konceptualisht janë të kundërta me LDK-në. Besoj se një rishikim dhe krahasim më i kujdesshshëm i evidencon dhe eliminon të lartpërmendurat.

LDK – ja nuk ka nevojë për copy – paste dokumente.

2.

Po, LDK-ja përveç shenjave dalluese, të cilat figurojnë në nenin 4 të deritashëm, apo nenin 5 të propozuar tani – Dita e themelimit të LDK, duhet ta ketë edhe Himnin e vet. Ai Himn ekziston. Është:“Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë“. Traditën e ekzistimit të Himneve apo këngëve e kanë për shembull Konservatorët britanez, Demokratët amerikanë, dhe shumë parti tjera në botën bashkëkohëse.

Propozoj që të normohet.

3.

Gjithmonë deri tani LDK-ja normë themelore të veprimit të saj ka pasur punën publike, duke u mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.. Kjo edhe ka qenë shtyllë e rëndësishme e fuqisë së saj politike, e transparencës dhe e veprimit demokratik.

Ne tekstin e ofruar e keni hequr nenin 6. Pse?

4.

Qendra e Informimit të Kosovës, apo QIK-u, është fshirë nga statuti. E di se ka qenë dhe mbetet një nga faqet elektronike më të vizituara deri tani. Mos të flasim për traditën dhe sakrificën e madhe të njerëzve që e kanë ngritur e mbajtur këtë institucion të rëndësishëm të LDK-së dhe të Kosovës në përpjekjen për pavarësi. Cila është arsyeja e mosfigurimit të QIK-ut, qoftë edhe si i transformuar për t’iu përgjegjur nevojave të kohës, por që bart në vete vlerën dhe sinonimin e traditës me të cilën identifikohet LDK-ja?

Keni fshirë komplet nenet 7, 8 dhe 9.Pse?

5.

LDK mund të ketë anëtarë nderi. Kështu figuron në nenin 12 të statutit në fuqi ndjenja e respektit të LDK-së ndaj personaliteteve të rëndësishme të dijes e të politikës bashkëkohëse, pavarësisht vendin prej kah mund të jenë. LDK- ka nevojë për miq, mbështetës e simpatizantë gjithmonë e në vazhdimësi.

Pse është fshirë ky nen në këto ndryshime e plotësime?

6.

Duke pasur parasysh proceset e integrimeve europiane dhe se Republika e Kosovës një ditë do të jetë anëtare e Bashkimit Europian, dhe se po kështu LDK- ja vepron në shumë nga këto shtete, është mirë të normohet e drejta e anëtarësimit mbi bazë të vullnetit të tyre edhe e qytetarëve të vendeve tjera në LDK, po qe se kjo nuk është në kundërshtim me ligjet e tyre.

7.

Lidhur me nenet 13 dhe 14 si nene të reja në kapitullin Përgjegjësitë e anëtarëve e dhashë mendimin më herët. Ato nuk duhet të ekzistojnë si të tilla, apo më së paku me një përmbajtje kaq të ashpër dhe që për më tepër duket që rrjedhin nga burime statutesh që LDK nuk duhet t’i ketë për model.

E përsëris edhe njëherë se Lidhja Demokratike e Kosovës që nga themelimi ishte parti, e cila funksionoi mbi parimin e demokracisë së brendshme; ishte bashkim i vullnetshëm i qytetarëve të lirë, që respektojnë dhe realizojnë përgjegjësi të përbashkëta, shprehin lirisht idetë dhe pikëpamjet e tyre në forume dhe jashtë saj, dhe po kështu funksionin demokratik e mbështesin në përgjegjësinë individuale.

8.

Në nenin 25.2 të propozuar dhe që ka të bëjë me kandidaturat për Kryetarin e LDK –së thuhet se kandidatura miratohet me 50 përqind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

Duhet të jipet sqarim plotësues, sepse kjo nënkupton mbështetjen e nevojshme për të gjithë pretendentët për të plotësuar kriterin e të njejtit nen, pra 25.1 për votimin e fshehtë dhe të listës me më shumë kandidatë. Pra kuvendi është i obliguar të mbështetë dhe formojë listën me më shumë kandidatë, që nënkupton së paku dy.

9.

Tek neni 26.6 dhe tek neni 31.3 flitet edhe për Zëdhënësin. Të sqarohet: është Zëdhënës i LDK-së apo Zëdhënës i Kryesisë së LDK-së.

10.

Neni 33 dhe neni 34 i propozuar, që ka të bëjë me Komisionin Statutar zëvendëson me përafërsisht të njejtën përmbajtje nenet 34 dhe 35 të Statutit në fuqi. Mirëpo dispozitat (par.1 dhe 2) të nenit 35, pra dy nga dispozitat më të fuqishme preventuese dhe intervenuese për korrektim, heqen. Pse? Është fjala për kujdesin për ligjshmërinë e veprimeve të organeve të LDK-së dhe parandalimin dhe korrektimin e veprimeve të organeve të LDK-së në kundërshtim me statutin.

Deri tani Komisioni Statutar ka pasur për detyrë të veprojë edhe sipas ankesës së organeve apo anëtarëve të LDK-së pavarësisht nivelin e organizimit. Bie fjala Dega e LDK- së në Gjakovë e dalë me strukturën e saj nga zgjedhjet e LDK-së më 2010, është ankuar për veprime jashtëstatutare të Kryesisë së LDK-së karshi saj, duke shpallur pa të drejtë zgjedhje të reja (dhe duke e vënë në lajthitje Këshillin e Përgjithshëm), duke tentuar kështu të prishë strukturën ekzistuese. Nuk di nëse Komisioni Statutar i LDK-së ka dhënë mendim deri tani, ndonëse e ka për obligim.

Pra, duhet të mbetet në fuqi neni 35 i Statutit dhe detyrimisht të jipet afati i fundit i dhënies së mendimit nga ana e tij - bie fjala 30 ditë nga dita e adresimit tek ai. Komisioni disciplinor është cështje tërësisht tjetër.

11.

Mosha e anëtarësisë në Forumin Rinor duhet të mbetet ashtu siç ka qenë (kjo nuk ka qenë e rregulluar me statut, por me Rregullore Organizative të Forumit Rinor), e jo të zvogëlohet sipas propozimit të ri në 26 vjet. Theksova më herët se kam hulumtuar shumë statute të partive tjera. Shumica, prej atyre që i kanë forumet (natyrisht se dallojnë mënyrat e organizimit të tyre), parashikojne moshën deri në 30 vjeq apo së paku 29. Shih p.sh.në Statutin e UMP të Francës (N. Sarkosy) Les Jeunnes Europienes si ata i quajnë, përfshijnë të rinjtë deri në moshën 29 vjeqare si limit, apo tek Partia Demokratike e Shqipërisë (S.Berisha), parashihet mosha 30 vjeqare, sic është edhe tani në Forumin Rinor të LDK-së.

Ky propozim i ri, për kufizim moshe deri në 26 vjet, nuk duket se ka një logjikë shpjeguese të arsyeshme. Nëse synohet që të përjashtohen nga e drejta e zgjedhjes nëpër organizmat e Forumit të Rinisë të LDK-së të rinjtë që e kanë kaluar këtë moshë ( 26 vjet), sepse i është vënë syri të zgjedhet në këto organe dikush në moshë më të re, më mirë është të thuhet se ky është kandidati më i mirë se sa të veprohet kështu. Ekziston një traditë dhe rregull e vendosur dhe e konsoliduar tashmë mbi bazë të organizimeve të formacioneve të njëjta të familjes së partive me të cilat pretendon të jetë simotër LDK-ja.

Unë kam dëgjuar për idenë e shtimit të, bie fjala, 20 % të të rinjve nëpër forumet e strukturat e zgjedhura të LDK-së. Po pse jo, kjo duhet të jetë e mirëseardhur, por gjithmonë duke pasur parasysh procedurat normale dhe në konkurrencë të nevojshme kualiteti.

12.

Listimi i akteve të parashikuara në nenin 52 të propozuar është tërësisht i panevojshëm. Ato janë përmendur në dispozitat e mëhershme. Aq më tepër, kjo është e panevojshme kur bëni krahasimet me ato burimet në të cilat jeni mbështetur e që nuk është dashur.

13.

Është mirë që është parashikuar si ide eliminimi i pozitave të shumëfishta në parti. Por, shtrimi i kësaj ideje në nenin 51.3 dhe 51.4 nuk është bërë si duhet. Norma duhet të jetë e qartë. Nuk duhet të figurojë kështu sic është dhënë, pra si formulim politik dhe cështje e vullnetit të personave të caktuar, apo e iniciativës së Kryetarit të LDK-së. Formulimi sic është lë mundësi të ndryshme interpretimi dhe nuk siguron zbatimin e duhur. Pra, edhe njëherë, norma duhet të jetë e qartë.

Fjala bie, tani tek një person kemi të grumbulluar 3-4 funksione nga më përgjegjëset në LDK. Është gjynah të jetë i ngarkuar njeriu aq shumë.

14.

Numri i anëtarëve të organeve të LDK-së për këtë mandat nuk mund të ndryshojë. Në dispozitat kalimtare duhet të figurojë se ky mandat do të vazhdojë deri në zgjedhjet e reja.

Të nderuar të pranishëm,

Unë besoj se të gjithë në LDK jemi të përkushtuar të punojmë për organizimin dhe strukturimin modern. Ne mund të fitojmë duke qenë të sinqertë në qëllimet dhe veprimet tona. Ato qëllime dhe veprime shihen dhe vlerësohen nga anëtarët dhe nga qytetarët përgjithësisht.

Unë edhe sot dhashë kontributin tim duke shfaqur mendimet e idetë e duke dhënë propozimin që mendoj se është i nevojshëm e i domosdoshëm për të ecur më tej në një proces reformimi të mirëfilltë që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme dhe me perspektivë për LDK-në. Pra, Këshilli sot duhet të mandatojë një grup të vecantë (apo me ndonjë plotësim të grupit ekzistues) për të ndërtuar një platformë të qartë për të përmbyllur këtë proces nga i cili do të sillen para nesh dokumentet përfundimtare, pra Projekt Programi i ri dhe Propozim plotësimet dhe ndryshimet në statut, që ne në një mbledhje të ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm t’i shqyrtojmë dhe aprovojmë ato, ashtu sic e kemi mandatin me statutin aktual në fuqi dhe më pastaj të dërgohen për miratim në Kuvend si organi më i lartë i LDK-së që duhet të miratojë përfundimisht këto dokumente.

Unë e theksoj se mbetem një anëtar i përhershëm i LDK-së, sepse jam krijuar si personalitet politik me krijimin e saj dhe kam dhënë kontributin tim intelektual, fizik e politik në zhvillimin e LDK-së.

E them këtë për të hequr nga mendja smirën e të gjithë atyre, që i keni parë madje edhe në media, të cilët projektojnë dhe fantazojnë konfliktin tim me LDK-në.

Mendimi dhe kontributi kritik nuk është veprim kundër LDK-së.

Unë mbetem aktiv, kritik dhe i përgjegjshëm, dhe këtë ma detyron edhe pozita e anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryetar Nderi i LDK-së.

Të punojnë për LDK-në e kanë për nder të gjithë anëtarët e saj dhe askush nuk ka të drejtë ta përjashtojë askend nga ky proces.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›