E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama paralajmëron Iranin dhe Korenë e Veriut

Presidenti amerikan, Barack, Obama i hodhi dorashkën Koresë së Veriut dhe Iranit. Me deklaratat, se po lufton për një botë pa armë bërthamore, presidenti amerikan i drejtoi të dy këtyre vendeve apele të drejtpërdrejta, ndërsa u zotua të punojë me Rusinë dhe Kinën për reduktimin e mëtejshëm te armatimeve bërthamore.

“Është koha për ta zgjidhur në rrugë diplomatike. Është gjithmonë preferencë e imja që këto çështje të zgjidhen me diplomaci. Por, koha kalon. Udhëheqësit e Iranit duhet të kuptojnë se edhe ata përballen me një zgjidhje. Irani duhet të veprojë me seriozitetin dhe urgjencën që kërkon momenti. Irani duhet t’i përmbushë obligimet e tij”, ka thënë Obama.

Perëndimi ka miratuar një varg sanksionesh kundër Teheranit, nga frika se ky i fundit synon krijimin e armës bërthamore. Por, pretendimet e tilla hidhen poshtë nga autoritetet iraniane.

Presidenti amerikan po ashtu u ka bërë thirrje liderëve të Koresë Veriore “të kenë guximin për të ndjekur paqen”, ndërsa i ka paralajmëruar se provokimi do të çonte në të tjera dënime ndërkombëtare.

Obama ka thënë se do të kërkojë bisedime me Rusinë për reduktim, jo vetëm të armëve strategjike bërthamore, por edhe të atyre taktike dhe rezervë.

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë fuqizuar marrëveshjen e re për reduktimin e armëve bërthamore – START, e cila obligon të dyja palët të zvogëlojnë kokat bërthamore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›