E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama paralajmëron sërish Iranin

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të ngurrojnë të sulmojnë Iranin me forcë ushtarake për ta penguar nga zhvillimi i armëve bërthamore, por ai tërhoqi vërejtjen se “bisedat e shumta për luftën” vetëm sa i kanë ndihmuar Iranit dhe kanë ngritur çmimin e naftës.

Duke folur para një grupi të fuqishëm lobues pro-izraelit, Obama i apeloi edhe njëherë Izraelit që t’iu japë kohë sanksioneve të japin efektin e tyre.

“Kam thënë se sa i përket pengimit të Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore, nuk heq asnjë opsion nga tavolina dhe kur e them këtë, e kam me gjithë mend. Kjo përfshin të gjitha elementet e pushtetit amerikan: përpjekjet politike që kanë për qëllim izolimin e Iranit; përpjekjet diplomatike për të ruajtur koalicionin tonë dhe për të siguruar se programi iranian është duke u monitoruar; përpjekjet ekonomike për të vendosur sanksione dhe po, përpjekjet ushtarake për t’u përgatitur për të paparashikuarën”, tha Obama para Komitetit Amerikano-Izraelit për Çështje Publike.

Izraeli është i shqetësuar se Irani mund të jetë duke zhvilluar armë bërthamore, të cilat do t’i përdorte kundër shtetit izraelit.

Por, Irani këmbëngul se reaktorët bërthamorë të tij janë për kërkime mjekësore dhe për energji.

Obama i ka dërguar një porosi liderëve iranianë.

“Liderët e Iranit duhet ta dinë se unë nuk zhvilloj politikë kontrolli; unë zhvilloj politikën e pengimit të Iranit nga ndërtimi i armëve bërthamore. Dhe siç kam thënë gjatë mandatit tim presidencial, nuk do të ngurrojë të përdorë forcën kur është e nevojshme, për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara dhe interesat e saj”, tha Obama.

Këto komente, Obama i bëri një ditë para se të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Washington.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›