E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama përgëzoi irakianët

Presidenti amerikan Barack Obama theksoi se zgjedhjet parlamentare të së dielës në Irak ishin një arritje historike për atë vend. Irakianët sfiduan sulmet e kryengritësve që lanë 38 të vrarë. Zgjedhjet e së dielës ishin të dytat kombëtare që nga përmbysja e Saddam Husseinit nga forcat e udhëhequra nga SHBA-ja në vitin 2003.

Rezultatet paraprake do të publikohen pas disa ditësh. Obama tha se irakianët hodhën një hap përpara për të ndërtuar vendin e tyre pavarësisht kërcënimeve për dhunë.

Ai lavdëroi forcat irakiane të sigurisë për ruajtjen e qendrave të votimit. Kryeministri irakian i sektit shiitë, Nouri al-Maliki, përballet me kundërshtarë të fortë në garë nga ish aleatët e tyre si dhe sunitë dhe politikanë kurd. Asnjë parti nuk pritet të fitojë shumicën e nevojshme për të krijuar qeverinë ndaj një koalicion është më i mundshëm.

Ndërkohë që filloi numërimi i votave, presidenti Obama u shfaq para kamerave të televizorit nga Shtepia e Bardhë për të uruar popullin irakian.
“Sot përballë dhunës nga ata që janë vetëm për shkatërrim, irakianët zhvilluan një hap përpara në punën e vështirë për të ndërtuar vendin e tyre”, tha Obama.

Presidenti amerikan tha se pjesëmarrja në votime ishte e madhe, me gjithë një numër sulmesh në mbarë vendin që lanë dhjetëra të vdekur. Zoti Obama tha se gjakderdhjet ishin puna e Al-Kaidës në Irak dhe ekstremistëve të tjerë që ishin të vendosur për të prishur procesin elektoral duke vrarë njerëz të pafajshëm. Por ai tha se dhuna ishte shumë më e vogël nga sa ishte menduar fillimisht.

“Përgjithësisht, niveli i sigurisë dhe parandalimit të sulmeve destabilizuese flet për të shtimin e kapacitetit dhe profesionalizmit të forcave irakiane të sigurisë, të cilat morën përsipër sigurinë për qendrat e votimit.”

Presidenti Obama paralajmëroi edhe ndaj vetëkënaqësisë, duke theksuar se më shumë punë gjendet përpara. Ai tha se votimet e së dielës ishin vetëm fillimi i një procesi të gjatë elektoral. Ai tha se ankesat për zgjedhjet duhen marrë parasysh, një parlament i ri duhet të fillojë punën dhe një qeveri e re duhet formuar.

Zoti Obama i paralajmëroi vendet e tjera që të mos ndërhynin në proces në Irak. Ai e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të mundohen të influencojnë përfundimin e zgjedhjeve.

“Në këtë proces, Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin kandidatë apo koalicione të veçanta. Ne mbështesim të drejtën e popullit irakian për të zgjedhur udhëheqësit e tyre”, theksoi ai.

Presidenti nuk përmendi emrin e asnjë prej pretenduesve për pushtet. Ai tha vetëm se populli irakian ka provuar se ata duan që mosmarrëveshjet të debatohen dhe vendoset për to përmes një procesi politik që sjell siguri dhe begati për të gjithë. Presidenti amerikan tha se ndërkohë që irakianët ecin përpara, ata e dinë që Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë angazhimet e tyre.

“Ne do të vazhdojmë të këshillojmë dhe ndihmojmë forcat irakiane të sigurisë; do të zhvillojmë operacionet me synime anti-terroriste me partnerët tanë irakianë dhe ofrojmë mbrojtje për forcat dhe civilët tanë.”

Këto zgjedhje do të përcaktojnë nëse Iraku do të mund të kapërcejë ndarjet sektare, që kanë karakterizuar atë vend që prej ndërhyrjes së koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2003. Rreth 6 mijë e 200 kandidatë konkurruan për 325 vendet e parlamentit të ri. Shumë njerëz i shikojnë këto zgjedhje si një udhëkryq për rrugën që do të zgjedhë Iraku për të ardhmen.

Presidenti amerikan theksoi se për herë të parë në vite, tani janë më pak se 100 mijë trupa amerikane në Irak. Të gjitha forcat luftarake amerikane janë caktuar që të tërhiqen nga Iraku deri nga muaji shtator dhe të gjitha forcat e tjera të mbetura pritet që të lënë Irakun deri nga fundi i vitit që vjen.

(RFE)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›