Obama, përshëndet programin e Bush-it për automobilët
Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Barak Obama, përshëndeti programin e ndihmës së administratës Bush në largim, për prodhuesit e automobilëve 'General Motors' dhe 'Chrysler', të cilët janë goditur rëndë nga kriza. "Tani është e rëndësishme të sigurohet rimëkëmbja afatgjatë e firmave", tha Obama. Ai do të kujdeset që pesha kryesore e ristrukturimit, të mos bjerë mbi supet e punëmarrësve. Presidenti amerikan në largim Xhorxh Bush iu premtoi të premten 'General Motors' dhe 'Chrysler' gjithsej 17,4 miliardë dollarë si kredi emergjente. Të dy këto kompani ndryshe do të ishin të detyruara të shpallnin paaftësinë për të paguar shpenzimet. Shefi i 'General Motors', Rik Uagoner, përshëndeti programin e ndihmës emergjente dhe njoftoi masa të forta ristrukturimi: "Në emër të ekipit të 'General Motors', falenderoj qeverinë për ndihmën financiare për industrinë amerikane të makinave dhe ekonominë tonë kombëtare. Ne e dimë se kemi shumë punë përpara për zbatimin e planit të ristrukturimit. Objektivi ynë është ta bëjmë 'General Motors' sërish lider në industrinë e makinave përsa i takon teknologjisë, cilësisë dhe dizajnit", tha ai. Sipas të dhënave të veta, prodhuesi tjetër i madh i automobilëve në SHBA, 'Ford Motors', nuk ka nevojë për ndihma shtetërore.