Oketa:Përgëzon ushtarakët për misionin

Janë rikthyer në atdhe trupat ushtarake shqiptare që përfunduan misionin e tyre në Irak. Një pjesë e kontigjentit të trupave mbërriti sot në aeroportin "Nënë Tereza", ku u zhvillua një ceremoni në të cilën mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Gjatë fjalës së tij ,ministri Oketa falenderoi dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ushtarakët të cilët mbajtën me nder flamurin shqiptar në Irak. " Në emër të ministrisë së Mbrojtjes, të qeverisë dhe shoqërisë shqiptare i shpreh mirënjohje këtyre ushtarakëve që kanë mbajtur me nder flamurin shqiptar. Patëm sodisfaksion që gjatë qëndrimit në Irak të dëgjojmë vlerësimet maksimale për ushtarakët shqiptarë", u shpreh Gazmend Oketa. Ministri i Mbrojtjes shprehu mirënjohje për aelatët e koalicionit , veçanërisht SHBA-në për besimin që i kanë dhënë ushtrisë shqiptare". Në fund të fjalës së tij Oketa shprehu mirënjohje edhe për ata ushtarakë që nuk janë kthyer ende nga misioni në Çad dhe Bosnje-Hercegovinë. Pjesa tjetër e kontigjentit do të kthehet në ditët në vijim. Misioni shqiptar uli flamurin në Basra ditën e enjte në një ceremoni ku i pranishëm ishte edhe ministri i Mbrojtjes Oketa si dhe shefi i Shtabit të Ushtrisë. Përfundimi i këtij misioni nga autoritetet shqiptare deklarohet i suksesshëm.