Obama sulmon ashpër republikanët

“Ata sillen sikur ne nuk e kemi provuar politikën e tyre, që nuk ka funksionuar, edhe në të kaluarën”, është shprehur shefi aktual i Shtëpisë së Bardhë.
“Ideja për të vazhduar për të bërë të njëjtën gjë, edhe pse e kemi provuar që nuk funksionon, është simptomë e një marrëzie”, ka shtuar presidenti i parë me ngjyrë në historinë e SHBA-së.
Obama ka përdorur kështu një retorikë të fortë, pas asaj të përdorur së fundmi ndaj tij nga radhët e republikanëve, që shpresojnë të fitojnë emërimin për të kandiduar në presidencialet e ardhshme.
Pak ditë më parë, në mediat ndërkombëtare u publikua një spot televiziv i kandidatit Rick Santorum, që tregonte një fshat nga një film i tmerrit, si simboli i Amerikës së presidentit Barack Obama.
Pamjet e “Obamaville”, të realizuara në ngjyrë të gjelbër, tregonin një skenar nga një film me zombi: rrugë të shkreta, pemë pa gjethe, qiej kërcënues.
Ndërsa një zë që shoqëronte pamjet thoshte: “Ndërmarrjet e vogla po vuajnë dhe familjet janë të shqetësuara për vendet e punës dhe të ardhmen e tyre”.
Megjithatë, kur vjen fjala për të zgjedhur ndërmjet Barack Obamës dhe kandidatëve republikanë, votuesit në të paktën tri shtete të hamendura amerikane do të preferonin presidentin aktual.