Siria krekoset se ka mposhtur kryengritjen

Kështu është shprehur zëdhënësi i ministrisë së Jashtme në Damask, duke iu referuar manifestimeve popullore kundër pushtetit.
“Beteja për të rrëzuar shtetin në Siri ka përfunduar njëherë e mirë dhe ka nisur një betejë tjetër: ajo e konsolidimit të stabilitetit dhe ndërtimit të një Sirie të re”, ka thënë Jihad Makdessi në një intervistë në televizion, e cila citohet nga agjencia Sana.
Në anën tjetër, i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan pret që qeveria në Damask të zbatojë planin e paqes menjëherë.
Zëdhënësi i Annanit, Ahmed Favzi, u tha gazetarëve se “afati është tani”.
Plani i paqes, që u pranua nga qeveria të martën, bën thirrje për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në të gjithë format nga të gjitha palët. Por pavarësisht kësaj, forcat qeveritare vazhduan të bombardojnë Homsin dhe të luftojnë kryengritësit në qytetin Deir Al Zur.
Komitetet e Koordinimit Lokal thanë se të paktën 37 persona u vranë në të gjithë vendin, përfshirë katër fëmijë dhe dy gra.