Obama takohet me princin e Bahreinit
Presidenti amerikan, Barak Obama, është takuar me princin e Bahreinit në Shtëpinë e Bardhë, ku ka mirëpritur vendimin e mbretërisë së gjirit që të heqë ligjin e emergjencës që u miratua pas nisjes së konfliktit me shumicën Shiite në këtë vend.
Përmes një deklarate të shkruar, Shtëpia e Bardhë ka lajmëruar se Obama i ka thënë Princit Sheik Salman bin Hamad al Kalifa, të martën se stabiliteti i Bahreinit varet nga respektimi i të drejtave universale të qytetarëve të këtij shteti, duke përfshirë edhe lirinë e të shprehurit dhe demonstratat paqësore.
Deklarata thekson se Obama ka kërkuar që ata që janë përgjegjës për abuzimin e të drejtave të njeriut gjatë trazirave të fundit në këtë shtet duhet të mbajnë përgjegjësi.
Autoritetet e Bahreinit vendosën ligjin e emergjencës në mes të muajit mars, duke i dhënë ushtrisë pushtet të gjerë për të shtypur demonstratat e udhëhequra nga shumica Shiite kundër pushtetarëve që janë nga pakica sunite.