E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama,emëron Sek.e Shëndetësisë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama ka emëruar ish-senatorin Tom Dashel në postin e Sekretarit të Shëndetësisë. Gjatë një konference për shtyp në zyrën e tij tranzitore në Çikago, presidenti i ardhshëm amerikan deklaroi se Dashel po ashtu do të kryesojë edhe zyrën e re që do të krijohet në Shtëpinë e Bardhë për reformën në shëndetësi. Obama u shpreh se në këtë rol të dyfishtë, Dashel do të vihet në krye të përpjekjeve për të hartuar dhe zbatuar planin e ri për të bërë mbulimin shëndetësor të përballueshëm për të gjithë amerikanët. Dashel, tha presidenti i ri, është ekspert në fushën e shëndetësisë dhe gjatë viteve në Kongres njihet për bashkëpunim me të dyja palët. Tom Dashel, demokrat, ka shërbyer për 26 vjet në Kongres, 10 nga të cilat si drejtues i demokratëve, kur ata kishin kontrollin e Senatit. Dashel është edhe autor i një libri për sistemin shëndetësor amerikan. Ish-senatori iu tha gazetarëve se kostoja e sistemit aktual të shëndetësisë është e papërballueshme. Aktualisht rreth 54 milionë amerikanë janë pa kujdes shëndetësor. Sekretari i ri i Shëndetësisë Tom Dashel deklaroi se modernizimi i sistemit po ashtu do të ndihmojë ekonominë amerikane. Ndërkohë që Presidenti i ardhshëm amerikan, Barak Obama u përpoq sërish të sqaronte se nuk ka asnjë lidhje mes tij apo ekipit tij dhe guvernatorit të Ilinoisit Milorad Blagojeviç, i akuzuar për korrupsion. "Jam plotësisht i bindur se zyra jonë nuk është e përfshirë në asnjë ujdi lidhur me vendin tim në Senat", tha Obama. Presidenti i ardhshëm amnerikan tha se, as nuk është marrë në pyetje, as nuk është kontaktuar nga zyrtarët federalë lidhur me rastin Blagojeviç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›