Obamën e mashtrojnë CNN dhe FOX për vendimin e gjykatës
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka arritur një fitore të madhe, që ndoshta mund të jetë vendimtare për mandatin e dytë. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara mbështeti një pjesë kyç të planit të tij të diskutueshëm të kujdesit shëndetësor në një vendim 5 me 4.
Por presidenti amerikan fillimisht mendoi se ai e kishte humbur votimin për shkak se CNN e FOX raportuan gabimisht se gjykata e kishte quajtur antiligjore nismën e tij.
Presidenti ishte duke ndjekur këto dy TV kur ata deklaruan se i ashtuquajturi mandati individual, që kërkon që amerikanët të kenë sigurim shëndetësor ose përballen me një dënim financiar apo taksë, ishte rrëzuar.
Obama e priti me qetësi. Por pak më vonë një këshilltare e Shtëpisë së Bardhë hyri brenda dhe ngriti gishtat lart në shenjë miratimi. Obama e përqafoi dhe bënë një ceremoni të vogël festimi.
CNN kërkoi falje menjëherë dhe tha se natyra e komplikuar e gjykimit solli këtë gafë.
Kurse FOX tha se e raportuan lajmin siç ishte. Kjo për shkak se vetë gjykata kishte deklaruar se mandati individual ishte rrëzuar bazuar mbi ligjin e tregtisë, por ishte legal sa i përket ligjit të taksave.

