Odeta Nishani e frikësuar nga mazhoranca e re: Nga ata njerëz mund të pres gjithçka
Odeta Nishani, bashkëshortja e Presidentit të Republikës thotë se familja e saj nuk ka asnjë lidhje me pronësinë e selisë së PD-së, duke i konsideruar shpifje të ulëta, presion, kërcënime dhe shantazhe që mazhoranca e re po bën ndaj institucionit të Presidentit.
Absolutisht jo. Familja ime as ka pasur, as nuk ka dhe as nuk do të ketë lidhje me atë truall. Nuk është pronësi e familjes sime dhe e kundërta është shpifje e ulët. Me përgjegjësi të plotë pohoj para opinionit publik që asnjë marrëdhënie pronësie e imja dhe familjes sime nuk ekziston me selinë e PD-së; gjithashtu pohoj se asnjë interes privat nuk e lidh familjen time me atë objekt dhe të ardhmen e tij, shprehet ajo.
Sipas saj, Në këtë rast po sulmohet Presidenti i Republikës, dhe ky është qëllimi i partisë që pritet të marrë pushtetin. Fatmirësisht, në një shoqëri demokratike askush nuk është i përjashtuar nga debati publik, qoftë familja e Presidentit të Republikës, qoftë Presidenti vetë, dhe ky është një standard tashmë edhe i demokracisë shqiptare, por kur debati instrumentalizohet për qëllime politike dhe degjeneron në shpifje, fyerje dhe kërcënime, ky standard është cenuar në thelbin e tij dhe duhet të preokupohemi. Ky është një presion që po ushtrohet mbi familjen presidenciale, janë kërcënime, është një shantazh që duhet të ndalë, pasi ato janë të padenja.
Ajo shprehet se, Për dy javë Partia Socialiste bëhet forcë kryesore qeverisëse dhe ka të gjitha mjetet e duhura ligjore dhe administrative për të hetuar me imtësi mbi këtë çështje. Ata do ta shohin shumë qartë përmes hetimit se unë dhe familja ime nuk kemi asnjë lidhje me pronësinë për të cilën ne akuzohemi me pa të drejtë. Por pas dy javësh jam e sigurt që PS-ja do të më kërkojë falje, pasi pas hetimit do të rezultojë se akuzat e tyre janë vetëm trillime dhe shpifje dhe që nuk kanë asnjë bazë vërtetësie.
Zonja e Parë ka pohuar për GSH-në se vazhdon të punoj në Ministrinë e Turizmit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Turizmit dhe Trashëgimisë por nuk e fsheh frikën ndaj qeverisë së re teksa thotë se , nga ata njerëz mund të pres gjithçka./A.XH