E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odiseus Elitis, poeti i Erosit

Odiseus Elitis (Odysseus Elytis) ishte vetëm 24 vjeç kur më 1935 filloi të shkruajë rreshtat e parë. Dalloi për frymëzimin dhe metaforën e poezisë së tij. Erosi, një element i pashmangshëm i ardhur nga lashtësia, nuk mund t’i mungonte as poetit grek. Njëqind vjet pas lindjes së tij, Greqia nderoi poetin e saj kombëtar Odissea Elitis në Tiranë, me organizimin e një sërë aktivitetesh që zgjatën gjatë gjithë kësaj jave duke pasur si synim kryesor njohjen e veprës së tij poetike në audiencën shqiptare.

Odiseus Elitis, poeti i Erosit

Odissea Elitis (1911-1996) është bartësi i çmimit prestigjioz “Nobel” për letërsi (1979). Elegjisti Elytis me veprën e tij “Oxópetra - në perëndim të pikëllimit”, poetikë që konsiderohet si “dialogu mistik me vdekjen”, është letrari i parë grek (deri më tani edhe i fundit) që u njoh se i takon gjenit homerik, përkundër përdorimit të terminologjisë mitologjike greke–tashmë të banalizuar–në një masë të tepruar, ai dialogun e vet e bën me kohën e tashme, ose më mirë thënë ai bashkëbisedimin e bën (me plot dashuri) me vdekjen e pakohë. “Erosi, poezia, Erosi dhe poezia së bashku, kanë si detyrë të krijojnë shembujt”. Erosi, një element i pashmangshëm i ardhur nga lashtësia, nuk mund t’i mungonte as poetit grek. I cilësuar si poet i Egjeut, në botimet e para "Erosi" ishte kapitulli që çelte poezitë. Dhe jo rastësisht. Homeri e përshkruante erosin si forcën madhore që pushton shpirtrat e burrave dhe zotave, si forcë e të gjitha bukurive. Vetë dhimbja e ka origjinën prej tij. Ndërsa Safo, kushërira e Elitis, Erosi ishte bir i Qiellit dhe duhej lartësuar. Elitis nuk i ikte dot rrugës së paraardhësve, ndonëse gjuha e shkruar i përkiste veç atij. “Eros, Eros, Eros”, është një përmbledhje poetike që u botua pas vdekjes së poetit më 1996. Poezi të njohura, por dhe trajta të shkurtra që i kishte shkruar pak kohë para se të ikte gjithnjë në "Parajsën" që e kishte ndërtuar në rreshta. Elitis e njohu pasionin. I këndoi atij. Ai nuk u martua asnjëherë. Vetë ai, fitues i “Nobelit” në vitin 1979, kishte zbuluar thelbin e veprës së tij: “Nëse ekziston një Parajsë e veçantë për secilin nga ne, e imja pashmangshmërisht do të jetë e mbjellë me pemë fjalësh, me njerëz që shohin t’u kthehet e drejta e marrë padrejtësisht dhe nga zogj që, edhe pse në mes të vdekjes së vërtetë, këmbëngulin të këndojnë në greqisht, e të thonë eros, eros, eros”. Filloi të shkruajë i ndikuar nga surealizmi francez, veçanërisht nga poezitë e Pol Elyarit. Më 1940, poeti ishte zëvendëstoger në luftën italo-greke në kufijtë shqiptarë. Në vitin 1948, zhvendoset në Paris, ku studio për letërsi në Sorbonë. Gjatë kësaj kohe, u njoh me Pablo Pikason, Henri Matise dhe figura të tjera të artit parisien. Disa vite u kthye të punonte në institucionet greke. Poemat e Elitis janë shkruar në gjuhë të pasur, të mbushura me figura historike apo mitologjike. Vargjet janë të gjata dhe muzikale. I frymëzuar prej mënyrës së shenjtë të të perceptuarit të gjërave, në poezitë e tij të hershme, Elitis i këndon misterit të dritës greke, detit dhe ajrit. Më vonë, temat vërtiten rreth brengave, vuajtjeve dhe kërkimit të një parajse. Poezia e tij është një përpjekje e vazhdueshme për të parë dhe për të treguar realitetin e dytë, esencën e qenieve. Më 1979 Akademia Suedeze i akordon çmimin “Nobel” me motivacionin “Për poezinë e tij, e cila, me sfond traditën greke, me fuqinë e ndjeshmërisë dhe mprehtësi shpirtërore, gjallëron përpjekjen e njeriut bashkëkohor për liri dhe krijimtari”. Në konferencën për shtyp, pas marrjes së çmimit, Elitis konfirmoi edhe një herë atë që ishte përpjekur të bënte gjatë gjithë jetës, deri në ditët kur mbylli sytë më 1996: "Poezia nuk mund të ndryshojë botën, siç mund të bëjë veprimi, por poezia mund të ndryshojë ndërgjegjet e njerëzve, të cilët, me veprimet e tyre, mund të ndryshojnë botën"

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›