E Shtunë, 31 Tetor 2026

OeSD: EU Consulting nuk ishte e autorizuar të pranonte pagesa

Dy javë pasi Gazeta Jeta në Kosovë publikoi një dokument të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Kosovës përmes së drejtës për qasje në dokumente zyrtare, që tregonte se ajo kishte paguar 3,361,283.25 euro për OeSD-në - të gjitha përmes Eu Consulting, kompania austriake thotë se ajo kishte pranuar në fillim pagesa direkte nga ministria dhe se EU Consulting nuk ishte e autorizuar prej saj për të pranuar këso pagesash.

Ministria e Brendshme e Kosovës thoshte dy javë më parë se nga kontrata e qershorit 2011 për pasaportat me kompaninë vjeneze OeSD, në vlerë të 14,127,003.24 eurove, kishte paguar gjithsej 3,361,283.25 euro me pagesën e fundit të kryer në gusht 2012.

Sipas një dokumenti që ia kishte lëshuar gazetës përmes së drejtës për qasje në dokumente zyrtare, MPB thoshte se të gjitha pagesat qenë kryer përmes “Eu Consulting” me pronar Natali Veliajn.

Kontrata, e shkëputur më 31 janar 2013, e obligonte OeSD-në të prodhonte 1,328,000 pasaporta biometrike si dhe të sillte në Kosovë pajisje për personalizimin e këtyre dokumenteve.

Reinhart Gausterer, drejtor i përgjithshëm i OeSD-së, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se deri më tash kompania ka bërë liferimin me kohë të gjithsej 280,000 pasaportave tek Ministria e Brendshme e Kosovës, një numër të madh prej të cilave veç i janë dorëzuar qytetarëve kosovarë.

“Dërgesat e para sipas kësaj kontrate i janë paguar OeSD-së nga MPB, në pajtim me kontratën dhe kushtet e pagesave të përcaktuara në të”, thotë Gausterer. “Aktualisht, MPB i ka borxh OeSD-së një shumë të konsiderueshme parash për liferimin e pasaportave që e para i ka pranuar”.
Kompania nuk ka treguar se kur ka pranuar pagesa nga MPB-ja dhe sa para saktë i konsideron të munguara. Ministria e Brendshme nuk ka kthyer përgjigje kur është pyetur se a ka kryer pagesa direkt ndonjëherë për OESD-në.

Natali Velija, pronarja e kompanisë “Consulting EU Sh.P.”, ishte arrestuar më 12 nëntor për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur 1.4 milionë euro në tenderin e pasaportave duke vepruar si përfaqësues i autorizuar i OeSD-së. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›