E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët kërkojnë autonomi, kosovarët ofrojnë Ahtisarin

Nesër pritet të zhvillohet takimi tjetër ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daciq.
Shpërbërja e strukturave paralele në pjesën veriore të Kosovë, pritet të jetë pika kryesore e dialogut, i cili kësaj radhe do të zgjas dy ditë.

Ndërkohë që analistët konsiderojnë se është vështirë të përcaktohet një kompromis për këtë takim.

Analisti Nexhmedin Spahiu, thotë për Indeksonline se veriu i Kosovës ka qenë dhe është tema me e ndjeshme për të dyja palët, dhe se një çështje e tillë nuk do të mbyllet lehtë.

“Veriu, sigurisht qe nuk do të mbyllet aq lehte, veriu është temë kryesore e dialogut Kosovë- Serbi”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, serbët nuk do të heqin dorë aq lehtë për të fituar një autonomi territoriale.

“Edhe pse një autonomi serbëve u është dhënë në planin e Ahtisarit, një autonomi territoriale është edhe më tej e dëshiruar. Serbët e synojnë një gjë të tillë. Megjithatë varet nga cilësia e kompromisit që do të arrihet në takimin e radhës”, ka shtuar Spahiu.

Nga ana e tij edhe analisti, Ardian Arifaj, thotë se rezoluta e Kuvendit të Kosovës e përcakton qartë çka nuk mund të diskutohet në këtë dialog.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës i përcakton vijat që nuk mundet t’i kaloi asnjë kryeministër. Në pikën 3 thuhet se duhet të ruhet rregullimi i brendshëm kushtetues i Republikës së Kosovës, dhe se në asnjë mënyrë nuk mund të kemi një status për veriun e Kosovës”, ka thënë Arifaj për Indeëksonline.

Sipas tij, serbët mund të kenë shumë kërkesa, deri tek ato që cenojnë stabilitetin në Kosovë dhe rajon.

“Serbët mund të kërkojnë shumëçka, mendoj se pakoja e Ahtisarit është e mjaftueshme. Kërkesat e tyre mund të cenojnë stabilitetin e vendit dhe mund të destabilizojnë rajonin”, ka shtuar ai./M.M/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›