Ofendoi shqiptarin, nën hetim polici gjerman për racizëm dhe nxitje të urrejtjes

Një polic gjerman është në hetim nga prokuroria pasi akuzohet për racizëm dhe fyerje të një shqiptari. Hetimet nisën pas bërjes publike të një video në rrjetet sociale, ku efektivi i hakërrehet shqiptarit të “kthehet në vendin e tij të derrave”.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur në fund të vitit 2018 ose në fillim të 2019, ndërsa prokuroria bën me dije se hetimet janë komplekse pasi tashmë shqiptari në video nuk ndodhet më në Gjermani por është dëbuar drejt Shqipërisë për shkelje të ligjit. Sipas prokurorisë për të marrë dëshminë e tij do të duhet që të bashkëpunohet me policinë shqiptare.
Ngjarja ka ndodhur në Giessen, ndërsa është bërë e mundur identifikimi i policit, i cili aktualisht ka marrë masë disiplinore ndërsa vijojnë hetimet për fyerje dhe nxitje të urrejtjes.
Vetë drejtuesi i policisë i quajti deklaratat raciste në video plotësisht të papranueshme.
Debati mes policit gjerman dhe shqiptarit në video
Polici: Hiqe celularin tënd të ndyrë
Shqiptari: Jo, jo (vijon të filmojë)
Polici: Ik përndryshe do dal nga vetja. Kthehu në vendin tënd të derrave.
/rtsh.al/