E Shtunë, 31 Tetor 2026

METROLOGJIA E SHTETIT PA METËR

Nga Luan Kurti

Luan KurtiMetrologjia e tha fjalën e saj. Shqiptarët vidhen paturpësisht nga disa operatorë në fushën e karburanteve!… Më në fund ne konsumatorët u ndjemë mirë. Jo për faktin që na grabisin por që një institucion na dha të drejtë. Duhet ta kishte bërë shumë kohë më parë dhe jo tani që po bie kambana e ndërrimit të pushteteve. Sepse nuk e dimë kanë hallin tonë apo të vetin. Por gjithsesi më mirë vonë se kurrë. Kur përfitimi është reciprok nuk kanë rëndësi gjasat, motivet. Në njëfarë mënyre kjo situatë nuk ka qenë fare pa ngushëllim. Sepse ne alarmohemi kur na vjedh një hajdut xhepash në autobus bie fjala, e denoncojmë dhe kërkojmë të drejtën me vendosmëri. Por kur personazhi kryesor është shteti ndryshon puna.

Dhe shteti ynë nuk na vjedh për herë të parë. Ka njëzet e tre vite që e bën sistematikisht, pa iu trembur syri. Na vjedh në kandar, na vjedh në pazar, na vjedh në ujë, në energji, në pronësi, me dokumenta dhe pa dokumenta; na vjedh si dhe sa mundet. Dhe askush nuk mund ta padisë, ta fusë në burg. Ai është kapo i kapove dhe mbrohet kur duhet me ligje, me VKM-ra. Na kanë rritur çmimet sa herë kanë dashur, na kanë rritur taksat, na kanë rritur moshën e pensionit dhe ne sjemi ndjerë. Popull më të urtë se bën nëna! Po meqë jemi tek metrologjia, nuk mund të harrojmë se na i futën shumë kohë më parë me çmimin e naftës. U rrit jo me një , me dy apo tre lekë, por me treqind, pesëqind, njëmijë lekë. Ari i zi shkoi pothuaj dymijë lekë litri. Fajin e pati bursa, të thonë. Por kur çmimi për fuçi ra sërish, askush nuk bëri çap mbrapa. Përderisa ne e mbajtëm ngarkesën, nuk kishte arsye tua vinin veshin dërdëllitjeve tona. Dihet se çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë, ja tri javë dhe gjithçka kthehet në normalitet. Dhe kishin pasur plotësisht të drejtë. Numri i makinave në qarkullim vazhdon të rritet e të rritet, pambarimisht. Rritet konsumi, rritet vjedhja në mënyrë proporcionale. Sa për cilësinë ky është muhabet i vjetër. Në vend të naftës kemi djegur tonelata mazuti. Kemi derdhur tym të zi, dioksid karboni në qiell dhe në mushkëritë për frymë popullsie, në nivele rekordesh Gines.

Kemi fituar imunitet në shëndet, ska virus apo gaz helmues që na vë poshtë. Armët kimike që sollën aq të vdekur në Siri, në vendin tonë do kishin rezultuar të pasuksesshme dhe do kishin shpënë shumë uzina, fabrika të industrisë së luftës në falimentim. Në kohën kur na është regjur lëkura me oktanët e naftës, një tjetër zbulim tronditës në faqet e mediave: na vjedhin në sasi! Kjo u deklarua nga drejtoresha e institucionit dhe jo nga një dosido. E tha pa iu dridhur qerpiku, nuk ia bëri syri tërrt! Vetëm se pa emra, i joti mishin ta ha por kockën ta ruan. Pastaj është bërë modë në këto anë që kriminelëve, hajdutëve, mashtruesve u ruhet anonimati. Ikin në drejtim të paditur dhe kësisoj nuk duhet shkelur sekreti i hetimit. Konsumatorët pyesin njëri tjetrin, kërkojnë të mësojnë gjësendi se kujt subjekti duhet të mos i trokasin në derë Por kjo mbetet pa përgjigje. Në këtë botë çdo njeri duhet ti bëj derman vetes, Zoti është për të gjithë. Kjo sjellje futi në ngasje dhe Berishën, kryeministrin e vendit. Ai nuk mund ta toleronte moszbardhjen e listës. Sepse sbën ti fusin të gjithë në një thes. Duhen mbrojtur peshqit e mëdhenj dhe denoncuar të vegjlit, që sovrani të mos mendojë se është vetëm në hallin dhe nevojën e tij. Dhe fiks pas kësaj aktivizohet institucioni i kontrollit të pasurive të funksionarëve të lartë. Janë mbi njëqind të tillë. Është i njëjti formular i cili është refuzuar të plotësohet më parë, ose është plotësuar në mënyrë gjysmake. Se smund të tregohen gjithë asetet, gjithë llogaritë bankare, zorrët e barkutDikur u bë një falje fiskale, por me sa duket ka lindur nevoja edhe për një falje të dytë. Sa herë që krijohen pasuri të reja, duhen akte të reja juridike, administrative. Duhet shmangur informaliteti, duhen vënë pikat mbi I. Por lart e poshtë flitet se qeveritarët kryesorë janë të pasurit më të mëdhenj në këtë vend. Kështu i bie që ata ti çjerrin maskën vetvetes, të tregojnë xhepat dhe të kërkojnë ndjesë. Me siguri kjo do jetë ndonjë shaka e rradhës. Një zhurmë, një shashkë që synon të heqë vëmendjen nga probleme të tjera më serioze. Ose një strategji me qitje të largët, që kërkon të delegjitimojë kundërshtarin, i cili para se të proçedojë paraardhësit duhet të japë provën e vullnetit dhe paanshmërisë ndaj pjestarëve të familjes. Në mos, të heshtë dhe të mjaftohet me disa deklarata të padëmshme, që janë më tepër tema për të nginjur njerëzit e thjeshtë nëpër kafene, për tu mbushur ditën. Se vjedhja ka sira dhe siraja duhet respektuar. Nëse sdo të të ngasin, mos nga; mos i bëj shokut atë që sdo donin të ta bënin ty!…

Në stilin e drejtoreshës së metrologjisë janë dhe lufta kundër ndërtimeve të paligjshme të ndërmarra nga inspektorati ndërtimor dhe policia bashkiake. Pasi i lanë të ndërtonin, të bënin shtesa katesh ditën për diell militantëve, tani duan tua prishin. Mundet kjo është edhe hakmarrje për humbjen që pësuan në 23 Qershor. Mundet është dhe një mënyrë e kompensimit të shpenzimeve që bën për fushatë. Se jo të gjitha ndërtimet do të prishen, kush mendon ndryshe është i marrë. Vetë Berisha e dha provën kur e kundërshtoi publikisht nismën e kryeministrit të ri, Edi Rama për çlirimin e bregdetit nga rrënuesit e paskrupullt dhe bëri thirrje për të qenë gati për revansh. Që nga fillimi ky ka qenë një shtet pa hanxhinë, pa metër dhe deklarimi i drejtoreshës së metrologjisë është një gur i hedhur kuturu, në humbëtirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›